NATO do të nisë sulme thellë në territorin rus nëse Moska pushton shtetet baltike.
Ky është paralajmërimi i fundit që vjen nga ministri i jashtëm i Estonisë, duke sinjalizuar një qëndrim të ashpër nga krahu lindor i aleancës.
Në një intervistë me The Telegraph të botuar të hënën, Margus Tsahkna tha se përgjigjja e NATO-s ndaj çdo sulmi ndaj Estonisë, Letonisë ose Lituanisë do të shtrihej përtej kufijve të tyre, përcjell Telegrafi.
“Ne do ta sjellim luftën në Rusi dhe do të kemi sulme shumë të thella shumë thellë në Rusi”, i tha ai gazetës në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih. “Ne e dimë saktësisht se çfarë të bëjmë”.
“Kjo është arsyeja pse tani po përshpejtojmë investimet tona dhe po zhvillojmë aftësitë tona… kjo është arsyeja pse po investojmë 5 përqind të PBB-së në mbrojtje në rajonin tonë”.
Komentet e tij vijnë mes shqetësimit të shtuar në të gjithë Evropën se Rusia mund të testojë angazhimet e mbrojtjes kolektive të NATO-s, transmeton KyivPost.
Gjatë vitit të kaluar, ndërhyrjet e përsëritura me dronë dhe avionë luftarakë pranë hapësirës ajrore të aleancës kanë nxitur dyshime se Moska po heton mbrojtjet perëndimore dhe po mat kohën e reagimit.
Rusia ka zgjeruar njëkohësisht “gjurmët” e saj ushtarake pranë territorit të NATO-s.
Përgjatë kufirit të saj me Finlandën, Moska ka rritur nivelet e trupave dhe ka përmirësuar bazat.
Ajo gjithashtu ka ristrukturuar distriktet e saj ushtarake perëndimore dhe ka intensifikuar militarizimin e Kaliningradit, enklavës së saj në Detin Baltik të gjendur midis anëtarëve të NATO-s.
Në det, e ashtuquajtura “flotë hije” ruse është lidhur me incidente sabotimi që synojnë telekomunikacionin nënujor dhe kabllot e energjisë që lidhin Skandinavinë dhe shtetet baltike.
Në anën tjetër, në janar, NATO nisi “Baltic Sentry”, një mision të përbashkët që synonte pengimin dhe parandalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës kritike në Detin Baltik.
Paralajmërimi vjen pas retorikës së ashpër nga Moska.
Në prill të vitit 2025, Sergey Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, tha se Polonia dhe vendet baltike do të ishin objektivat kryesore nëse NATO do të angazhohej në atë që ai e quajti “agresion”.
Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti, ai tha se Rusia do të shkaktonte “dëme” në të gjithë aleancën ushtarake nëse kërcënohej nga NATO, por se Polonia dhe Lituania do të ishin “të parat që do të vuanin”.
Dhe në përgjigje të asaj që ata e shohin si një kërcënim në rritje, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes, me plane për të ndarë deri në 5 deri në 6 përqind të PBB-së për buxhetet ushtarake.
Estonia gjithashtu ka miratuar legjislacionin që kërkon që ndërtesat e reja të zyrave dhe apartamenteve mbi një madhësi të caktuar të përfshijnë bunkerë ose strehimore kundër bombave. E në Letoni, zyrtarët në prill të vitit 2024 u kërkuan banorëve të shndërrojnë bodrumet në strehimore kundër bombardimeve.
Ndërsa Lituania, në maj të vitit të kaluar tha se do të shpenzonte 1.25 miliard dollarë ekuivalentë për të forcuar mbrojtjen e kufirit të saj lindor për shkak të kërcënimit në rritje nga Rusia. /Telegrafi