Mesazhe paralajmëruese për “veprimet e njëanshme”, Uashingtoni flet për rrezikim të mundësive, Brukseli për ashpërsim masash - Gazeta Express
string(120) "mesazhe-paralajmeruese-per-veprimet-e-njeanshme-uashingtoni-flet-per-rrezikim-te-mundesive-brukseli-per-ashpersim-masash"

Mesazhe paralajmëruese për “veprimet e njëanshme”, Uashingtoni flet për rrezikim të mundësive, Brukseli për ashpërsim masash

Lajme

Gazeta Express

08/08/2024 16:07

“Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024”.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Këtë optimizëm e shfaqi shtatorin e vitit të kaluar ish-emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se viti 2024 do ta gjejë Kosovën të liruar nga masat ndëshkuese që ia vendosën partnerët e saj kryesorë, SHBA e BE, për shkak të tensioneve që kulmuan në majin e 2023-ës kur në objektet komunale në katër komunat veriore u futën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

Por, një vit pas, kur Kosova po pret heqjen e masave nga shtetet anëtare, BE erdhi me një paralajmërim për zgjerim të tyre për arsyen e njëjtë – “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës.

Kjo e fundit po tenton të hapë Urën e Ibrit edhe për qarkullim të automjeteve – një lëvizje që u nuk u mbështet nga SHBA, BE e NATO. Përveç kësaj, në këtë kohë, qortime Kosovës i erdhën edhe për një aksion të fundit të Policisë së Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit, për të cilat autoritetet thanë se po vepronin pa licencë pune.

Derisa frika për një ngritje të re tensionesh është e madhe, dje dhe sot në veri nuk pati fort rehati. Një protestë që përfundoi në mënyrë paqësore u mbajt dje nga pjesëtarët e komunitetit serb në sheshin “Car Lazar” në veri të Mitrovicës. Ndërsa sot pati dy arrestime të politikanëve serbë për pengim të punëtorëve të komunës te ura, si dhe gjatë debatit të thirrur në komunën e Mitrovicës së Veriut pati një përplasje verbale mes qytetarëve serbë dhe një zëvendëskomandanti të policisë. Ndërkohë, në Urën e Ibrit kanë vazhduar testimet.

SHBA dhe BE, që në vazhdimësi kanë kritikuar Qeverinë Kurti për veprime të njëanshme, nën hijen e ngjarjeve të vitit të kaluar, kësaj radhe reaguan më ashpër.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në konferencën e sotme për media e paralajmëroi Kosovën se masat mund të shtohen në varësi të veprimeve që ndërmerr Qeveria e saj. Megjithatë, ai tha se Bashkimi Europian shpreson që Kosova të dëgjojë mesazhin e Unionit.

“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.

Ai gjithashtu ka thënë se BE e ka bërë të qartë për Kosovën që të mos vazhdojë me hapat e pakoordinuar dhe të njëanshëm.

Kjo vërejtje e zëdhënësit të BE-së erdhi pas asaj mbrëmë nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mathew Miller, se SHBA është e shqetësuar nga “vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës”.

“Ajo që ne do ta inkurajonim Qeverinë e Kosovës të bëjë është që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe ne e kemi bërë të qartë këtë – siç po e bëj të qartë publikisht, ne ia kemi bërë të qartë këtë privatisht edhe qeverisë”, ka thënë Miller në konferencë.

Ai e potencoi se vendi i tij ka qenë mbështetëse e integrimit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën të krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderë të njëpasnjëshëm të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën ju keni rënë dakord”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, derisa KFOR po monitoron situatën që po zhvillohet te Ura e Ibrit dje pas protestës lëshoi një komunikatë me paralajmërimin se nuk do të hezitojë të marrë masa ndaj kujtdo që ndikon sigurinë në veri të vendit.

“KFOR nuk do të hezitojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”,

Deklaratat e Miller dhe Stanos erdhën pak ditë pas komunikatave të lëshuara nga SHBA e BE që kritikuan Kosovën për veprime të njëanshme në lidhje me aksionin për mbylljen e degëve të postës serbe.

Më 5 gusht, ambasada amerikane e shprehu “zhgënjimin e thellë” nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postës serbe në veri të Kosovës.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në po të njëjtën ditë, BE reagoi ngjashëm dhe akuzoi Kosovën për shkelje të marrëveshjeve të Brukselit.

“Bashkimi Europian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së dialogut”, tha BE derisa shprehu gatishmërinë “ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kishte thënë BE.

Ndërkaq, për hapjen e Urës së Ibrit, më 2 gusht ambasadorët e vendeve të QUINT-it shkuan edhe fizikisht në zyre të kryeministrit Kurti për t’i dhënë mesazhin se në tentativën e tij në hapjen e urës nuk e kanë mbështetjen e tyre.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, kishte thënë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, për gazetarë pas takimit.

Zhgënjimin me Kosovën e shprehi edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Në një përgjigje për Gazetën Express dy ditë më parë, ajo tha se janë të zhgënjyer me veprimin e institucioneve të Kosovës për mbylljen e pikave të postës serbe në veri të Kosovës pa koordinim paraprak dhe pa marrë parasysh efektin që një vendim i tillë ka tek qytetarët e thjeshtë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet seriozisht për zgjidhjen e këtyre çështjeve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.