Sipas medias shtetërore iraniane, parlamenti i Iranit ka miratuar një partneritet strategjik 20-vjeçar mes Moskës dhe Teheranit, që përfaqëson një thellim të lidhjeve dypalëshe, përfshirë bashkëpunim më të ngushtë në fushën e mbrojtjes.
Bëhet e ditur se dokumenti i partneritetit strategjik është nënshkruar më 17 janar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij iranian, Masoud Pezeshkian, ndërkohë dega legjislative e Rusisë e ka miratuar marrëveshjen në prill.
Sipas Reuters, edhe pse marrëveshja nuk përfshin një klauzolë të mbrojtjes së përbashkët, ajo parashikon bashkëpunim mes të dy vendeve kundër kërcënimeve të përbashkëta ushtarake, zhvillim të bashkëpunimit ushtarako-teknik dhe pjesëmarrje në stërvitje të përbashkëta.
Kujtojmë se, disa vende e kanë akuzuar Iranin për furnizim të Rusisë me raketa dhe dronë për sulme në Ukrainë, akuza të mohuara nga Teherani.
Në detaje të tjera, thuhet se pakti strategjik mes Iranit e Rusisë përfshin gjithashtu disa klauzola që synojnë forcimin e partneritetit ekonomik, veçanërisht nëpërmjet bashkëpunimit ndërbankar dhe promovimit të produkteve të tyre financiare kombëtare. Javën e kaluar ka hyrë në fuqi një marrëveshje tregtare e lirë ndërmjet Iranit dhe Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia, duke ulur kështu tarifat për të nxitur tregtinë mes dy ekonomive, të cilat ndodhen nën sanksione të ashpra nga Perëndimi.