Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka publikuar më 21 gusht 2025 listën përfundimtare të organizatave joqeveritare (OJQ) që përfitojnë mbështetje në kuadër të thirrjes “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2025”. Ky proces, i përsëritur çdo vit, është një ndër mekanizmat kryesorë për ndarjen e fondeve publike në sektorin e kulturës dhe për fuqizimin e organizatave që merren me art, trashëgimi dhe veprimtari rinore.
Një pasqyrë historike
Në vitin 2023, lista e përfituesve u bë temë debati publik pasi MKRS u detyrua ta ripublikonte për shkak të “gabimeve teknike” në dokumentin fillestar. Ky episod ngriti pikëpyetje mbi nivelin e transparencës dhe saktësinë e procesit administrativ. Megjithatë, në vitet pasuese, Ministria ka synuar të forcojë mekanizmat e publikimit dhe kontrollit, duke prezantuar listat preliminare e përfundimtare në mënyrë më të rregullt. Duket që ky synim mbeti veç i tillë, pasi që edhe këtë vit listat u ndryshuan e pati probleme teknike me to.
Në qershor të vitit 2024, lista preliminare përfshiu emra të njohur në skenën kulturore si “Autostrada Biennale”, “Dokufest”, “Ec ma ndryshe”, “Qendra Multimedia”, “Pri Film Fest”, “Kori Siparantum” dhe “Teatri Oda”. Këto organizata, përmes projekteve të tyre, kanë krijuar impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kulturës bashkëkohore në Kosovë.
Organizatat e mbështetura në kategorinë e parë dhe të dytë, kanë fituar fonde për tre vite, krahas emrit të çdo organizate është e vendosur shuma për secilin vit, përveç Klubit Alpin Podguri të cilës nuk i figuron shuma e as viti 2027, e arsyeja e të cilës nuk dihet.
Rasti i OJQ-së “MUNDËSIA”: mbështetje afatgjatë për vitet 2023–2025
Një element i rëndësishëm që vlen të theksohet është mbështetja afatgjatë që MKRS ka dhënë për disa organizata përmes kontratave shumëvjeçare. Një rast i tillë është OJQ “MUNDËSIA”, e cila figuron në dokumentet zyrtare me kontratë të hapur për tre vite rresht. Ky lloj mbështetjeje tregon besueshmëri institucionale dhe krijon hapësirë për planifikim strategjik të projekteve kulturore në periudhë afatgjatë, përtej logjikës së financimeve të fragmentuara njëvjeçare.
Përkundrejt këtyre përkrahjeve, ka edhe të tillë që janë ndarë të pakënaqur me vendimet e Ministrisë.
Arianit Hetemi nga OJQ- Qendra Kulturore Artistike “Anamorava”, ka reaguar publikisht, duke shprehur indinjatën sipas tij për degradimin dhe poshtërimin e aktiviteteve kulturore në Kosovë nga MKRS.
Reagimi:
OJQ/Qendra Kulturore Artistike “Anamorava” – Viti shpreh indinjatën e thellë për degradimin dhe poshtërimin e aktiviteteve kulturore në Kosovë nga MKRS, konkretisht në rastin e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Folk Fest Anamorava” – Edicioni IV, 2025.
Ky festival, i mbajtur më 13–15 gusht 2025 në qytetin e Vitisë, mblodhi ansamble e grupe nga: Meksika, Franca, Austria, Bullgaria, Shqipëria, Turqia, Bajram Pasha – Stamboll, si dhe ansamble vendore si “Anamorava” dhe artistë të njohur nga estrada shqiptare.
…
Megjithatë, përkundër suksesit dhe rëndësisë së këtij aktiviteti:
Projekti ynë u la jashtë listës preliminare, jo për fajin tonë, por për shkak të problemeve teknike të serverëve të MKRS, duke na privuar nga e drejta ligjore për ankesë.
Ankesa jonë formale nuk është marrë as në shqyrtim, ndërkohë që komisioni nxori një vendim ku aktiviteti ynë trajtohet në mënyrë fyese dhe degraduese.
MKRS ndau vetëm 11,000 euro, që nuk mbulojnë as 20% të kostos reale (mbi 30,000 euro).
Ndërkohë, në listë ka OJQ të panjohura, pa asnjë aktivitet publik, të cilat janë mbështetur me shuma shumë më të mëdha dhe madje me kontrata trevjeçare.
Gjetjet e Institutit GAP
Megjithëse MKRS përpiqet të ruajë një proces transparent, raportet e Institutit GAP theksojnë disa probleme strukturore: Rreth 38 % e buxhetit të MKRS ndahet për subvencione dhe transfere, por shpesh mungojnë mekanizmat e qartë të monitorimit, procesi i aplikimit dhe vlerësimit ka pasur vonesa dhe nuk është i digjitalizuar plotësisht, raportimi i përfituesve është shpesh formal dhe jo i lidhur me matjen reale të ndikimit kulturor.
GAP rekomandon digjitalizimin e plotë të procesit, rritjen e transparencës përmes një platforme online të hapur dhe krijimin e mekanizmave të fuqishëm të monitorimit për të garantuar që fondet publike të sjellin rezultate të matshme në terren.
Kino Armata në anën tjetër
E kur jemi tek financimi dhe institucionet kulturore qe varen nga Ministria e Kulturës, një tjetër problem duket të jetë ai i Kino Armatës.
Sipas njoftimeve zyrtare, funksionimi i Armatës është vënë në rrezik për shkak të një problemi ligjor, kontrate 1+10 vjet midis shtetit, komunës dhe Fondacionit, çështje që ka detyruar pezullimin e çdo transaksioni financiar nga Ministria e Kulturës deri në zgjidhjen e statusit të pronësisë dhe administrimit të hapësirës.
Si rezultat, administrimi i Kino Armata është i paqartë.
A po mbështetet financiarisht nga MKRS?
Aktualisht, duket se jo, madje janë pezulluar pagesat.
Nënvizimi i mungesës së përfitimit për Kino Armata e ka rëndësinë e vet sidomos në një kohë kur OJQ-të përfitojnë mbështetje shumëvjeçare nga MKRS.
Problemet ligjore dhe administrimi i paqartë e vendosin Kino Armata në një situatë të pafavorshme institucionalisht, pavarësisht rëndësisë së saj kulturore.
…
Kujtojmë që këtë vit janë tri Organizata që kanë fituar fonde në kategorinë e parë: Rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese- BIRN Kosova do të financohet më nga 50, 000.00 euro në vitet 2025-2026 ndërsa më 60,000,00 euro në vitin 2027.
7 ARTE do të financohet me nga 50,000.00 euro për tri vite (2025,2026,2027) dhe të njëjtin financim për tri vite do t’i këtë edhe Qendra edukative dhe këshillimore- ABSM.
/Gazeta Express