Që nga rikthimi i talibanëve në pushtet gati katër vjet më parë, shumica e grave i kanë humbur vendet e punës, për shkak të ndalimeve dhe kufizimeve të ashpra të lirive të tyre.
Ameena është ndër të paktat që punon ende.
Por, tani, ajo dhe pak gra të tjera si ajo, kanë një shqetësim tjetër – se luftërat, si ato në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe ndryshimet e politikave të jashtme të vendeve perëndimore, do ta përkeqësojnë edhe më tej gjendjen e rëndë të të drejtave të grave në Afganistan, nën sundimin e talibanëve.
“Talibanët po ia dalin mbanë me shtypjen e tyre ndaj nesh, sepse e dinë se Afganistani nuk është më prioritet për bashkësinë ndërkombëtare”, thotë Ameena.
Ameena – emri i së cilës është ndryshuar për shkak të shqetësimeve për sigurinë – thotë se puna në një medium privat është jetike për “mbijetesën e saj si financiare, ashtu edhe mendore”.
Paga e saj prej rreth 170 dollarësh në muaj nuk e ndihmon vetëm të sigurojë ushqim për prindërit dhe familjen e saj.
“Të kesh mundësi të punosh, për mua është shumë më tepër se paratë: i jep kuptim jetës sime, ndiej se po bëj diçka me jetën time. Do të çmendesha po të detyrohesha të rrija e mbyllur mes katër mureve të shtëpisë, ashtu si shumica e grave në vendin tim sot”, thotë 25-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.
Por, Ameena ka frikë se “laku po shtrëngohet edhe më shumë” rreth lirisë së grave në Afganistan, sidomos jashtë Kabulit.
Sipas saj, talibanët po i kufizojnë edhe më tepër të drejtat e grave, duke ua mohuar ato që i kishin fituar gjatë 20 vjetëve të qeverisë së mbështetur nga Perëndimi, përpara se ajo të rrëzohej në gusht të vitit 2021.
Edhe pse talibanët premtuan se do të krijonin një qeveri gjithëpërfshirëse, do t’i respektonin të drejtat themelore të njeriut dhe do të ndalonin që Afganistani të përdorej si bazë për grupet ekstremiste ndërkombëtare, ata nuk i përmbushën këto premtime.
Regjimi i ashpër islamist ka ndaluar në mënyrë sistematike qasjen e grave dhe vajzave afgane në arsim, punësim dhe lëvizje të lirë, duke i ndaluar të mbajnë edhe role të rëndësishme në qeveri ose shoqëri.
OKB-ja e ka dënuar trajtimin e grave afgane nga talibanët si “aparteid gjinor” dhe ka nxjerrë në pah zhdukjen sistematike të tyre nga jeta publike dhe dënimet e rënda për rezistencën.
Në një raport të publikuar muajin e kaluar, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) dokumentoi diskriminimin e vazhdueshëm dhe të gjerë ndaj grave dhe theksoi se Ministria për Përhapjen e Virtyteve dhe Parandalimin e Veseve ka zbatuar ligje të rrepta të moralit, të miratuara nga udhëheqësi suprem shpirtëror, Haibatullah Akhundzada, në vitin 2024.
Ligjet e moralit të talibanëve, mes tjerash, i ndalojnë gratë të flasin ose t’i tregojnë fytyrat e tyre në publik, të shkojnë në parqe publike dhe argëtuese, si dhe të udhëtojnë ose të hanë jashtë pa një kujdestar mashkull.
Palestrat dhe sallonet e bukurisë për gra janë mbyllur në të gjithë vendin.
Më herët këtë vit, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarreste për Akhundzadën dhe kryetarin e Gjykatës Supreme të talibanëve, Abdul Hakim Haqqani, duke i akuzuar për persekutimin e grave.
Qeverisja e talibanëve i ka hedhur poshtë urdhërarrestet, ashtu si edhe dënimet e OKB-së për politikat e tyre kufizuese mbi të drejtat e grave.
Shkaku kryesor i shkeljeve të të drejtave të grave në Afganistan mbeten politikat shtypëse të talibanëve, por konfliktet në botë dhe ndryshimet në prioritetet ndërkombëtare janë duke e vështirësuar edhe më shumë situatën për gratë afgane.
Vendimi i fundit i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të reduktuar ndjeshëm programin e saj të ndihmave, USAID, është një nga këto ndryshime.
Sipas grupit avokues OneAid, kjo masë do t’i kushtojë Afganistanit më shumë se 500 milionë dollarë ndihma, që nuk do të arrijnë në këtë vend.
“Duket sikur Afganistani dhe problemet e tij, përfshirë edhe të drejtat e grave, janë harruar nga Perëndimi”, thotë Rahila Yousofi, gazetare e pavarur afgane, e cila së voni ka lënë Kabulin dhe është larguar në Pakistanin fqinj.
“Afganistani po largohet gjithnjë e më shumë nga radari, për shkak të konflikteve të reja, si ato në Iran dhe në Gazë. Shtetet perëndimore, gjithashtu, po përqendrohen më shumë te çështjet e tyre të brendshme, natyrisht”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ndërsa vëmendja e botës po shpërndahet, shumë aktiviste për të drejtat e grave në Afganistan po punojnë edhe më shumë për t’i mbajtur këto çështje në fokusin ndërkombëtar.
Fawzia Koofi, ish-anëtare e parlamentit dhe themeluese e grupit Gratë për Afganistanin, është një nga aktivistet që punon me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe grupe të të drejtave të njeriut, për të dokumentuar “shkeljet e rënda të vazhdueshme” të të drejtave të grave në Afganistan.
Koofi u bën thirrje qeverive perëndimore që të mos braktisin Afganistanin dhe gratë e tij, duke thënë se “një veprim i tillë do të ishte gabim, për të cilin mund të pendohen më vonë”.
Pavarësisht varfërisë së thellë që ka përfshirë Afganistanin, Qeveria e talibanëve nuk pranon që ndihmat e Perëndimit të kushtëzohen me respektimin e të drejtave të grave dhe pakicave etnike.
Në vend se me Perëndimin, autoritetet talibane në Kabul po bashkëpunojnë me vende si Kina, Rusia dhe shtetet e Azisë Qendrore, që nuk u kushtojnë shumë rëndësi të drejtave të njeriut.
Këto vende kanë krijuar marrëdhënie tregtare, ekonomike dhe politike me Qeverinë e talibanëve, e cila nuk është njohur zyrtarisht nga asnjë vend në botë.
“Perëndimi ka ende ndikim të madh mbi talibanët”, thotë Yousofi.
“Talibanët janë të dëshpëruar për t’u njohur ndërkombëtarisht. Perëndimi nuk duhet t’i japë legjitimitet Qeverisë talibane nëse ajo vazhdon t’i injorojë ankesat e popullit të Afganistanit”, përfundon ajo./REL/