Është shumë legjitime të thuhet që formimi i një qeverie të re pa subjektin fitues të zgjedhjeve deformon vullnetin qytetar. Po aq legjitime është të thuhet se me këtë precedent krijohet mundësia që partitë që kanë humbur zgjedhjet të rigrupohen për të krijuar një shumicë parlamentare dhe të udhëheqin me ekzekutivin pa legjitimitet të plotë qytetar. Por, a është “vullneti qytetar” vullnet i një pjese të elektoratit, që nuk përfaqëson të paktën gjysmën e qytetarëve? Unë mendoj që jo domosdoshmërish. Secili subjekt përfaqëson një pjesë të caktuar të vullnetit qytetar, e kjo nënkupton se vullneti qytetar përmbushet vetëm atëherë kur ai vullnet reflekton qëndrimin e të paktën gjysmës së qytetarëve
Shkruan: Eugen Cakolli
Dekreti i Presidentit të vendit për mandatimin e një kandidati për kryeministër, të propozuar jo nga partia fituese e zgjedhjeve është një prej zhvillimeve më të ndjeshme kushtetuese dhe politike për Kosovën. Përpos polarizimit të theksuar shoqëror dhe politik që kanë sjellë në përgjithësi zhvillimet pas rrëzimit të qeverisë Kurti, sfidimi i dekretit në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimi i kësaj të fundit lidhur me këtë çështje do të jetë përcaktues për të ardhmen politike dhe kushtetuese të demokracisë së Kosovës. Ky vendim do të determinojë, mes tjerash, esencën e garës zgjedhore, rëndësinë e vullnetit të shumicës parlamentare, si dhe (pa)varësinë e mandatit të Kuvendit karshi atij të ekzekutivit.
Nëse bazohemi në pretendimet e palëve, që janë parashtruar në Gjykatë mbi këtë çështje, por edhe praktikën e deritanishme kushtetuese, besoj që kjo e fundit mund të nxjerrë variacione të ndryshme të vendimeve, të cilat mund të akomodojnë qoftë kërkesën maksimaliste të Lëvizjes Vetëvendosje për shkuarje automatike në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, qoftë kërkesën maksimaliste të koalicionit LAN për formimin e qeverisë së re sipas dekretit të Presidentit, përkundër mungesës së një refuzimi shprehimor të mandatit nga partia fituese. Në përgjithësi, vendimet e mundshme që Gjykata mund t’i nxjerrë gjatë ditëve në vijim, janë:
Nga këto vendime të mundshme të Gjykatës, mund të rrjedhin tri veprime apo situata të ndryshme kushtetuese dhe politike: shkuarja në zgjedhje të parakohshme, formimi i një qeverie të re nga subjektet tjera që sigurojnë shumicën e nevojshme, si dhe njohja e të drejtës së pa afatizuar të subjektit të parë për formimin e një qeverie të re.
Pa dyshim që asnjë prej këtyre vendimeve dhe skenarëve nuk mund të jetë i përsosur dhe i pranueshëm për të gjithë (one-size-fits-all), meqenëse secili ka anët e tij pozitive dhe negative, andaj si të tilla mund të përdoren nga palët e përfshira për të argumentuar qëndrimet e tyre.
Por, duke lënë anash kalkulimet politike, cili nga këta skenarë do të ishte më i dobishmi në planin afatgjatë për konsolidimin dhe promovimin e demokracisë edhe ashtu të re të Kosovës? Përmes këtij shkrimi, synoj të ofroj një perspektivë dhe përgjigje timen në këtë pyetje.
1.
Është e pamohueshme që zgjedhjet janë mënyra më e mirë e rifreskimit të demokracisë dhe legjitimitetit të institucioneve, sidomos kur ka ndryshim rrënjësor të rrethanave politike e shoqërore, përkatësisht zhvendosje të prioriteteve qeverisëse për shkak të situatave të ndryshme. Përvoja e deritanishme politike dhe praktika kushtetuese, na tregon se sa herë që ka pasur votim të suksesshëm të mocionit të mosbesimit, vendi ka shkuar drejt zgjedhjeve. Po ashtu, në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 në lidhje me çështjen e formimit të qeverisë, ishte vënë theks i konsiderueshëm në funksionin përfaqësues të zërit të qytetarëve nga Kuvendi, institucion ky i cili është përgjegjës për zgjedhjen e qeverisë. Qeveria, sipas këtij aktgjykimi, rrjedh nga fuqia mbizotëruese brenda parlamentit, që i ka rrënjët në forcën politike që fiton zgjedhjet, pavarësisht se a është kjo fitore absolute apo vetëm relative.
Por, le ta lëmë për një moment kontekstin aktual të zhvillimeve dhe ta shohim këtë çështje në aspektin parimor dhe në një shtrirje në planin afatgjatë kohor. A ka mundur të jetë praktika e deritanishme e gabuar? Nëse po, a duhet që institucionet të vazhdojnë të thirren në të, përkundër ekzistimit të një dispozite kushtetuese që mundëson krijimin e një praktike të mbarë që garanton demokraci të mirëfilltë parlamentare? Le të shohim pak më gjerë këtë çështje.
Sipas rregullimit dhe organizimit të sistemit politiko-juridik të vendit, Kosova është republikë parlamentare. Ky fakt nënkupton se jeta politike e vendit sillet kryesisht rreth Kuvendit, si institucioni më i lartë në vend. Duke qenë institucioni më i lartë, Kuvendi është i veshur me kompetencën e kontrollit të vazhdueshëm të punës së ekzekutivit të cilin e ka zgjedhur paraprakisht. Një prej formave kryesore, e mbase edhe më të rëndësishme, të ushtrimit të funksionit kontrollues dhe mbikëqyrës të ekzekutivit është mocioni i mosbesimit. Me anë të kësaj të këtij institucioni, që është njëkohësisht mekanizmi i nevojshëm kushtetues për garantimin e përgjegjësisë politike të ekzekutivit ndaj Kuvendit, ky i fundit gëzon pushtet në shfaqjen e mosbesimit ndaj Qeverisë duke ia ndërprerë asaj mandatin. Votimi i suksesshëm i një mocioni të tillë, sipas përcaktimeve kushtetuese, nënkupton marrjen e kompetencave kushtetuese të qeverisë, nga institucioni që në fakt ia ka dhënë ato. Ky element vë në pah rolin primar që ka Kuvendi në gjetjen e mënyrave të nevojshme për formimin e qeverive, edhe pas rrëzimit të tyre, duke garantuar kështu llogaridhënie të drejtpërdrejtë politike të ekzekutivit, por edhe institucioneve tjera që zgjidhen nga Kuvendi.
Pra, unë besoj që shkuarja automatike në zgjedhje të parakohshme pas çdo mocioni të suksesshëm të mosbesimit, do të afektonte dhe zbehte seriozisht mandatin e Kuvendit, duke e barazuar atë me mandatin e qeverisë, si dhe duke relativizuar krejtësisht faktin që ushtruesi i drejtpërdrejtë i sovranitetit të popullit është vetëm Kuvendi dhe jo institucionet tjera. Rrjedhimisht, kjo do të prodhonte situata kur për shkaqe të ndryshme, mbase edhe të performancës jo të mirë të qeverisë, me shkarkimin e ekzekutivit, Kuvendi praktikisht do t’ia shkurtonte mandatin vetes, duke u privuar nga kompetencat dhe funksionet e tij krejtësisht të ndara nga degët tjera të pushtetit. Kjo do të prodhonte destabilitet politik e institucional, sepse ekzekutivi do t’a kishte të sigurt shkuarjen në zgjedhje pas çdo mocioni – që do të na çonte drejt një arrogance të pushtetit, që në parim do t’a cenonte ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
Shikuar nga perspektiva tjetër, mosshkuarja në zgjedhje pas mocionit padyshim që dobëson edhe përbërjen parlamentare të subjektit fitues të zgjedhjeve, sepse rëndom kandidatët më të votuar kalojnë në ekzekutiv dhe humbin të drejtën e kthimit në Kuvend. Por, ky është çmimi që ata paguajnë dhe rreziku që marrin përsipër me marrjen e mandatit për të qeverisur.
2.
Qeveria është produkt indirekt i popullit i cili përfaqësohet në Kuvend përmes deputetëve. Pra, në parim të paktën, forca politike që ka dalë më e votuara në zgjedhje, mbi bazën e programit dhe kandidatëve të caktuar, ka të drejtën që të provojë ta institucionalizojë vullnetin qytetar nëpërmjet formimit të qeverisë së re.
Pothuajse të gjitha shtetet me rregullim të njëjtë apo të ngjashëm politik dhe kushtetues sikurse Kosova, ia njohin të drejtën subjektit të parë për të tentuar formimin e institucioneve. Megjithatë, pothuajse në asnjë nga këto sisteme, subjektit të parë nuk i njihet ekskluziviteti në procesin e formimit të institucioneve. Edhe në rastin tonë, kjo është e qartë që subjekti i parë ka të drejtën e formimit të institucioneve por assesi jo ekskluzivitet në këtë të drejtë. Por, çështja është se a duhet që e drejta e tentimit për formim të institucioneve t’i nënshtrohet një përcaktimi kohor, apo të jetë e pakufizuar në kohë? Unë jam i bindur që duhet të ketë afate të nënkuptueshme kohore. Kjo sepse, edhe përvoja me aktgjykimin e vitit 2014 lidhur me kryetarin e Kuvendit, na tregon se mungesa e afateve kohore mundëson mbajtjen peng të sistemit politik nga një subjekt i vetëm, si dhe cenon funksionimin e rregullt dhe stabilitetin e institucioneve. Për më shumë, sistemet kushtetuese dhe politike nuk mund të ndërtohen mbi bazën e premisave se subjektet politike nuk do të sillen në mënyrë joracionale, duke bllokuar procesin e formimit të institucioneve apo që të njëjtat do të sillen në mënyrë arrogante. Rrjedhimisht, subjektet duhet ti nënshtrohen edhe frymës kushtetuese të funksionimit demokratik të institucioneve, që natyrshëm çon tek krijimi i pavonuar i institucioneve nga subjekti i parë, i cili, sipas sistemit tonë, e ka gati se të pashmangshme arritjen e kompromiseve për sigurimit e konsensusit të nevojshëm në sigurimin e votave për zgjedhjen e ekzekutivit. Madje, mendoj që vetë sjellja e subjekteve politike nuk duhet të jetë në frymën e përsëritjes së situatave të gabuara, ndaj të cilave pikërisht kanë protestuar.
Në kuptim të funksionimit të institucioneve, duhet të ritheksohen përgjegjësitë që kanë institucionet, por edhe akterët politik në procesin e formimit të ekzekutivit. Në këtë kuptim, ekzistojnë dy lloje përgjegjësish – ajo e fituesit (relativ) të zgjedhjeve për të siguruar numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë, e në anën tjetër, përgjegjësia e Kuvendit, përkatësisht partive parlamentare, që në rast të pamundësisë apo mungesës së vullnetit të subjektit të parë që të formojë institucionet, të gjejë rrugë tjera për vazhdimin dhe ushtrimin e mandatit të marrë nga populli, nëpërmjet zgjedhjeve. Unë besoj që mungesa e përcaktimeve kohore në procesin e formimit të qeverisë, mundëson arbitraritet dhe prodhon situata kur një subjekt mund ta mbaj pezull sistemin qeverisës, në pamundësi ose mungesë të vullnetit për formim të institucioneve.
3.
Pa u lëshuar në diskutimet se a ka pasur të drejtë Presidenti të konstatojë konsumimin apo refuzimin e të drejtës së propozimit të mandatarit, pa ndodhur kjo në mënyrë shprehimore nga fituesi i zgjedhjeve, është e rëndësishme që të trajtohet në nivelin parimor mundësia e formimit të qeverisë nga subjektet tjera politike parlamentare, pa përfshirë domosdo subjektin e parë.
Thelbi i demokracisë dhe sistemeve demokratike në botë është parimi i vullnetit të shumicës. Pra, ky parim i mbivendoset rregullimit juridiko-politik të pothuajse të gjitha sistemeve parlamentare. Sistemi zgjedhor proporcional, të cilin e aplikon Kosova, pashmangshëm imponon arritjen e një shumice, që reflektohet pastaj edhe në përbërjen e qeverisë. Kjo garanton që në njërën anë, vendi të mos mbetet peng i vullnetit të partive të caktuara, si dhe në anën tjetër të garantohet një stabilitet politik dhe institucional në rastet kur ka vullnet të shumicës.
Siç u përmend edhe paraprakisht, qeveria derivon nga Kuvendi i Kosovës. E Kuvendi si institucioni më i lartë, funksionon mbi parimin e shumicës. Rrjedhimisht, është tejet e rëndësishme që, gjithnjë në përputhje me autorizimet dhe procedurat e parapara kushtetuese, Kuvendi të ketë mundësinë të shpreh vullnetin e qytetarëve. Gjithashtu, në sistemin parlamentar të Kosovës, qeveria është pothuajse gjithmonë produkt i konsensusit (të nevojshëm) të partive politike parlamentare, në mënyrë që të sigurohen të paktën votat e shumicës së deputetëve. Duke qenë kështu, nuk guxon të anashkalohet assesi mundësia që, në rast të dështimit të zgjedhjes së qeverisë në raundin e parë, pas propozimit të subjektit të parë, kjo e drejtë ti takojë partive tjera parlamentare që kanë shumicën e nevojshme. Çdo veprim ndryshe, përveç se do të fuste vendin në bllokada institucionale dhe politike, do t’a privonte Kuvendin nga ushtrimi i kompetencave të tij, përkatësisht do të pamundësonte jetësimin e vullnetit të shumicës së deputetëve, të cilët, në terma praktik, përfaqësojnë vullnetin e shumicës së deputetëve. Për më tepër, në aspektin kushtetues, Aktgjykimi i vitit 2014 i Gjykatës Kushtetuese, në pjesën ku trajton nenin 95.4 të Kushtetues, përmend mundësinë që Presidenti t’ia japë sërish rastin për formimin e qeverisë së parë. Logjikisht, ky interpretim nënkupton se mandati mund t’i jepet subjekteve tjera që sigurojnë numrin e nevojshëm të votave, bazuar në kriteret mbizotëruese që ka përcaktuar Presidenti lidhur me raundin e dytë. Pra, as sipas dispozitave kushtetuese, nuk pamundësohet apo përjashtohet opsioni i formimit të një qeverie të re, pjesë apo propozues i së cilës mund të mos jetë domosdo subjekti fitues i zgjedhjeve.
Mendësia politike në Kosovë, por edhe interpretimet e deritanishme të Kushtetutës, kanë imponuar gati çdoherë pas cikleve zgjedhore qasjen se subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje, ka vetëm të drejtën e formimit të qeverisë, duke rezultuar kështu në një qasje bllokuese ndaj institucioneve, e jo rrallëherë edhe përçmuese ndaj subjekteve tjera politike. Kjo qasje është krejtësisht e gabuar. Subjekti fitues i zgjedhjeve, për sa kohë që nuk fiton shumicën e votave të qytetarëve, paralelisht me të drejtën e formimit të qeverisë, ka edhe përgjegjësinë dhe obligimin që të bëjë kompromiset e nevojshme për sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend për ta votuar kabinetin qeveritar.
Në fund, është shumë legjitime të thuhet që formimi i një qeverie të re pa subjektin fitues të zgjedhjeve deformon vullnetin qytetar. Po aq legjitime është të thuhet se me këtë precedent krijohet mundësia që partitë që kanë humbur zgjedhjet të rigrupohen për të krijuar një shumicë parlamentare dhe të udhëheqin me ekzekutivin pa legjitimitet të plotë qytetar. Por, a është “vullneti qytetar” vullnet i një pjese të elektoratit, që nuk përfaqëson të paktën gjysmën e qytetarëve? Unë mendoj që jo domosdoshmërish. Secili subjekt përfaqëson një pjesë të caktuar të vullnetit qytetar, e kjo nënkupton se vullneti qytetar përmbushet vetëm atëherë kur ai vullnet reflekton qëndrimin e të paktën gjysmës së qytetarëve.
As rëndësia e zgjedhjeve nuk do të zbehet fare. Përkundrazi, kjo vetëm sa do ta intensifikojë dhe avancojë garën zgjedhore mes subjekteve politike. Gjithashtu, me shumë gjasë nuk do të kemi më koalicione mes subjekteve më të mëdha, sepse tradicionalisht ato po rezultojnë si më jostabilet. Në anën tjetër, formimi i qeverive duke mos respektuar vullnetin qytetar dhe besimin e marrë nga ta, do të ketë si rrjedhojë ndëshkimin e pikërisht këtyre subjekteve politike nga elektorati i tyre në zgjedhjet pasardhëse. E ky, në fakt, është bazamenti i demokracisë!