Mes katrahurës në Lindjen e Mesme, Azerbajxhani përpiqet të qëndrojë i qetë - Gazeta Express
string(74) "mes-katrahures-ne-lindjen-e-mesme-azerbajxhani-perpiqet-te-qendroje-i-qete"

Lajme

Gazeta Express

23/06/2025 9:52

Mes katrahurës në Lindjen e Mesme, Azerbajxhani përpiqet të qëndrojë i qetë

Lajme

Gazeta Express

23/06/2025 9:52

Presidenti i Azerbajxhanit u shfaq para kamerave të televizionit shtetëror duke buzëqeshur pranë një droni luftarak izraelit, të sapoblerë për ushtrinë e vendit të tij.

Më pas, Ilham Aliyev e përkëdheli atë sikur të ishte një qen.

Droni ishte pjesë e një flote të madhe dronësh izraelitë dhe turq, që ushtria e Aliyevit i përdori me sukses kundër Armenisë, për të rimarrë kontrollin e Nagorno-Karabakut në vitin 2023.

Arma është një tregues i vogël, por i rëndësishëm, i lidhjeve të vjetra dhe të fshehta mes Azerbajxhanit dhe Izraelit.

Sulmi i paprecedentë dhe i furishëm i Izraelit ndaj objekteve bërthamore dhe raketore të Iranit, rrezikon ta destabilizojë Qeverinë në Teheran.

Së bashku me sulmet hakmarrëse të Iranit dhe me ato të SHBA-së kundër objektivave bërthamore në Iran, dhuna mund të shkaktojë edhe një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Në mes të gjithë kësaj, Bakuja po përpiqet të ecë në një vijë shumë të hollë.

“Aliyev duhet të ruajë marrëdhënie të mira me Izraelin – që i shet armë të avancuara Azerbajxhanit dhe blen naftë prej tij – dhe me Teheranin, për shkak të aftësisë së tij për të vënë Armeninë dhe Azerbajxhanin kundër njëri-tjetrit”, thotë Richard Kauzlarich, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Azerbajxhan në fund të viteve 1990.

“Azerbajxhani nuk ka interes për luftë me Iranin dhe nuk mbështet sulmet izraelite në territorin iranian”, thotë Zaur Shiriyev, ekspert për Kaukazin e Jugut në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë.

“Azerbajxhani e ka bërë të qartë pozicionin e tij se nuk është pjesë e këtij konflikti”, shton ai.

Njerëz që largohen nga Irani nëpërmjet pikës kufitare të Agarakut me Armeninë.
Njerëz që largohen nga Irani nëpërmjet pikës kufitare të Agarakut me Armeninë.

Aliyev nuk tha asgjë publikisht.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit lëshoi një deklaratë më 13 qershor – ditën kur Izraeli filloi fushatën e tij – duke thënë se Bakuja është “seriozisht e shqetësuar” për sulmet.

“Ne e dënojmë fuqishëm përshkallëzimin e situatës dhe u bëjmë thirrje palëve që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet ekzistuese vetëm përmes dialogut dhe mjeteve diplomatike, në përputhje me normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare”, u tha në deklaratë.

Të nesërmen, ministria njoftoi se ministri i Jashtëm, Ceyhun Bayramov, kishte biseduar me homologun e tij iranian, Abbas Araqchi, dhe e kishte siguruar se Azerbajxhani nuk do të lejojë që territori i tij të përdorej për sulme kundër Teheranit.

Bayramov, më pas, bisedoi edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, duke shprehur “shqetësim serioz për sigurinë në rajon, si pasojë e konfliktit izraelito-iranian”.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit nuk u përgjigj emaileve të Radios Evropa e Lirë për komente shtesë.

Në bregun e lumit Aras

Marrëdhëniet e Azerbajxhanit me Teheranin janë të përziera.

Irani është i populluar me shumicë myslimane shiite. Shiitët janë shumicë edhe në Azerbajxhan, por ka edhe një popullsi të konsiderueshme sunite. Vendi është zyrtarisht laik dhe feja luan rol të vogël në jetën publike.

Brenda Iranit, azerbajxhanasit etnikë janë pakica e dytë më e madhe pas farsëve, ose persianëve – një fakt që, herë pas here, e shqetëson Qeverinë në Teheran.

Disa vlerësime tregojnë se popullsia etnike e azerbajxhanasve në Iran është më e madhe se gjithë popullsia e Azerbajxhanit.

Qyteti veriperëndimor i Tabrizit, i cili është goditur nga sulmet izraelite, është vendbanim i shumë azerbajxhanasve etnikë të Iranit.

Në këtë përzierje hyjnë edhe lidhjet ekonomike të Iranit me Armeninë, me të cilën Azerbajxhani ka luftuar dy herë në 35 vjetët e fundit për Nagorno-Karabakun.

E izoluar nga aleatja kryesore e Azerbajxhanit, Turqia, Armenia ka vetëm dy pika kalimi tokësore: një me Gjeorgjinë në veri dhe një me Iranin.

E izoluar edhe për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, Armenia është një rrugë e rëndësishme për eksportet e Iranit drejt tregjeve më të mëdha.

Me mbështetjen e Turqisë, Azerbajxhani po përpiqet të krijojë një korridor transporti nëpër territorin armen, që do të lidhte Azerbajxhanin me një enklavë të tij në perëndim, të quajtur Naxcivan.

Kjo do ta pengonte tregtinë midis Iranit dhe Armenisë, e cila do të duhej të kalonte përmes atij që quhet korridori Zangezur.

Dhe, pastaj, atje është Izraeli.

Një imazh satelitor i ndërtesave të shkatërruara pranë hyrjes në bazën e raketave në Tabriz, pas sulmeve ajrore izraelite, më 17 qershor.
Një imazh satelitor i ndërtesave të shkatërruara pranë hyrjes në bazën e raketave në Tabriz, pas sulmeve ajrore izraelite, më 17 qershor.

Nga Tel Avivi në Baku

Që nga vitet 1990, Azerbajxhani është bërë një nga burimet kryesore të naftës për Izraelin, duke i siguruar më shumë se gjysmën e importeve.

Izraeli, ndërkohë, është bërë furnizues kryesor i armëve për Azerbajxhanin, i cili e shfrytëzoi këtë ndihmë për të rindërtuar ushtrinë e tij, pas humbjeve të mëdha në konfliktin e parë të Nagorno-Karabakut, në fillim të viteve 1990.

Mes viteve 2016 dhe 2021, Izraeli ishte burim për 69 për qind të importeve të armëve të Bakusë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm.

Ato përfshijnë raketa dhe dronë të avancuar si droni “Harop” – që mund të qëndrojë në zonë për të sulmuar objektiva dhe që Aliyev e prezantoi në tetor të vitit 2021 – si dhe dronët e mbikëqyrjes “Orbiter”, që kapin sinjale radioje dhe të dhëna të tjera elektronike.

Dy vjet më vonë, Azerbajxhani mori kontrollin e plotë mbi Nagorno-Karabak, duke detyruar shumicën e armenëve etnikë të largoheshin.

Marrëdhënia është “e fortë dhe me përfitime të ndërsjella”, thotë Kauzlarich, “duke u bazuar në perceptimet në Baku se Izraeli do të vazhdojë të jetë furnizues i armëve në konfliktin e tij me Armeninë, dhe në Jerusalem se Azerbajxhani mbështet objektivat izraelite në Iran”.

Teherani, prej kohësh, ka shqetësime se Izraeli mund t’i përdorë lidhjet me Azerbajxhanin për veprime të fshehta ose të hapura kundër Iranit.

Në një opinion të publikuar në vitin 2006, një gjeneral i pensionuar i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit kërkoi koordinim me Azerbajxhanin për përdorimin e bazave të tij ajrore.

Frika e Iranit u rrit edhe më shumë pas rrjedhjes dhe publikimit të disa kabllove diplomatike të SHBA-së nga grupi Wikileaks.

Një prej tyre përshkruante një marrëdhënie të fshehtë dhe të thellë midis Izraelit dhe Azerbajxhanit.

Në vitin 2012, policia azerbajxhanase njoftoi se kishte arrestuar disa persona të lidhur me inteligjencën iraniane, të cilët dyshohej se po komplotonin sulme ndaj izraelitëve në vend.

Teherani e akuzoi Bakunë se kishte ndihmuar Izraelin t’i shënjestronte shkencëtarët bërthamorë iranianë.

“Sa herë që rriten tensionet mes Izraelit dhe Iranit, del një narrativ, kryesisht i nxitur nga jashtë, se Azerbajxhani mund ta hapë hapësirën e tij ajrore ose të ofrojë mbështetje për Izraelin”, thotë Shiriyev.

“Kjo nuk ka qenë kurrë e vërtetë. Sot, me fuqi ajrore dhe dronë të përparuar, Izraeli nuk mbështetet në furnizimin prej jashtë ose në bazat ajrore pranë”, sipas tij.

Në fushatën e tij aktuale për të goditur Iranin dhe programet e tij të armëve, Izraeli ka më shumë gjasa të mbështetet në përkrahjen morale të Azerbajxhanit sesa në atë ushtarake, thotë Efraim Halevy, ish-drejtor i agjencisë izraelite të spiunazhit, Mossad.

“Nëse do të ketë luftë… ne nuk duam ta përfshijmë [Azerbajxhanin] në veprime ushtarake, që do të shkaktonin humbje jetësh ose do ta vendosnin Azerbajxhanin në një pozicion të vështirë”, thotë ai për Shërbimin e Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë.

“Ajo që ne shpresojmë është të marrim mbështetje morale nga [Azerbajxhani], të marrim nga ju mbështetje që shpreh qëndrimet tuaja për Iranin dhe mënyrën se si sillet ai, dhe të na jepni një qëndrim të qartë të politikës së jashtme të Azerbajxhanit ndaj Iranit” thotë Halevy.

“Kjo, mendoj unë, është ajo që ne presim nga Azerbajxhani, dhe mendoj se është në interes të Azerbajxhanit që ta pranojë këtë”, sipas tij.

“A po përpiqet Bakuja të qëndrojë jashtë një lufte të madhe në kufirin jugor?”, thotë Shiriyev. “Po, por kjo nuk është e thjeshtë”.

“Edhe nëse Azerbajxhani shmang përfshirjen e drejtpërdrejtë, ai mund të përballet gjithsesi me pasoja, përfshirë fluks refugjatësh, ndërprerje të tregtisë dhe probleme logjistike”, shton ai.

“Nëse konflikti thellohet, ose nëse regjimi iranian shembet plotësisht, pasojat mund të jenë një paqëndrueshmëri serioze në të gjithë rajonin. Irani nuk është Siri apo Irak. Ai është shumë më afër, dhe përmasat e tij bëjnë që çdo pasojë të ndihet në gjithë Kaukazin e Jugut. Azerbajxhani, si fqinjët e tjerë, me shumë gjasa do të jetë ndër të parët që do të ndiejë presionin”, përfundon Shiriyev. /REL