Gjermania është duke përgatitur një valë porosish shumë-miliardëshe për pajisje ushtarake, përfshirë 20 avionë luftarakë Eurofighter, deri në 3,000 automjete të blinduara Boxer dhe deri në 3,500 automjete luftarake këmbësorie Patria, kanë thënë për Reuters dy burime të njohura me planet.
Bëhet e ditur se këto blerje janë pjesë e përpjekjes së kancelarit Friedrich Merz për të ndërtuar ushtrinë konvencionale më të fuqishme në Evropë, me synimin për të ulur varësinë nga aleati gjithnjë e më i paparashikueshëm – SHBA – dhe për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit evropian.
Kujtojmë se më herët këtë vit, Merz siguroi mbështetjen parlamentare të nevojshme për të përjashtuar shpenzimet për mbrojtjen nga kufizimet kushtetuese të borxhit në Gjermani, duke i mundësuar qeverisë së tij të financojë një rindërtim të plotë të ushtrisë.
Buxheti i rregullt i mbrojtjes në Gjermani pritet të rritet në rreth 83 miliardë euro në vitin 2026 – një rritje prej 20 miliardë krahasuar me vitin 2025.
Sipas burimeve të Reuters, vetëm porosia për avionët Eurofighter pritet të kushtojë mes 4 dhe 5 miliardë euro, ndërsa automjetet Boxer – të ndërtuara nga KNDS dhe Rheinmetall – janë vlerësuar në 10 miliardë euro. Automjetet Patria pritet të kushtojnë rreth 7 miliardë euro.
Raportohet se Ministria e Mbrojtjes po përparon edhe me planet për të blerë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T dhe disa qindra platforma për mbrojtjen nga dronët SkyRanger, por sipas burimeve, detajet financiare për këto blerje nuk janë përfunduar ende.
Kancelari Merz është zotuar të përmbushë objektivin e ri të NATO-s për të shpenzuar 3.5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2029. Megjithatë, Gjermania ka shumë për të investuar në mbrojtje, pasi vetëm disa orë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kreu i ushtrisë gjermane atëherë shprehu publikisht zhgënjimin për gjendjen e keqe të gatishmërisë ushtarake në vend, duke thënë se Bundesëehri “qëndronte atje pothuajse me duar në xhepa”.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...