Mersim Zeqiri e ka rritur formën kulmore para meçit të radhës.
Boksieri shqiptar nga Maqedonia e Veriut është i gatshëm për meçin e radhës, të cilin do ta zhvillojë këtë të shtunë.
Boksieri nga Kërçova do të zbresë në ring më 31 maj dhe do të përballet me boksierin nga Venezuela, Omrri Bolivar, i cili me rezidencë është në Japoni.
Zeqiri ka respekt për kundërshtarin e radhës, i cili e ka një rekord prej 13.7.0, por është optimist se do ta regjistrojë fitoren e tetë në karrierën e boksit profesionist, e cila do t’ia hapte rrugët për të vazhduar të synojë tituj të tjerë të këtij sporti luftarak, por edhe përparim në renditjen botërore.
“Përgatitjet i kemi kryer në klubin NRG Gym, kondicion-kardio dhe sparing. Jam përgatitur për gati gjashtë javë për këtë luftë. Për meçin e 31 majit fizikisht dhe mentalisht jam në top-formë”, u shpreh fillimisht Zeqiri, i cili e ka një seri perfektë prej shtatë fitoresh në boksin profesionist.
“Dhashtë Zoti, do të shkojmë për 8.0.0, i pa mposhtur, për ta arritur qëllimin për të qenë pjesë e Top 140 në ranglistën botërore. Ky meç do të ma hapë mundësinë që ta kërkoj titullin më 11 tetor në Uster të Zvicrës, pasi do të më hapen dyert që të luftoj për titullin WBF Intercontinental dhe objektivi tjetër është që deri në fund të vitit 2025 ta thyej rekordin që të futem në Top 90 të ranglistës botërore”, shprehet me plot optimizëm boksieri me zemër luani.
Sa i përket kundërshtarit, Zeqiri thotë se Omrri Bolivar është një boksier tepër teknik dhe provokues, i cili nuk i hapet luftës direkte, ballë për ballë, por ka dëshirë t’i shmanget asaj.
Sidoqoftë, boksieri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, me rezidencë në Zvicër, e ka një premtim të madh për tifozët shqiptarë.
“Të shtunën do ta kemi luftën me 10 raunde. Pra, do të jetë hera e parë në karrierën time që do të boksoj në 10 raunde. Në fund jua premtoj fitoren e tetë dhe kështu do të vazhdojmë ta shkruajmë historinë”, përfundoi Zeqiri.
“Illyrian Fight Night” do të mbahet këtë të shtunë në AXA / ARENA të Winterthurit në Zvicër, ndërsa para meçit kryesor të Mersim Zeqirit, do të zhvillohen edhe disa meçe të tjera.