Komisioni Disiplinor dhe i Etikës e ka marrë vendimin për klubin e futbollit Vushtrria për shkeljet e bëra në derbin e Ligës së Parë ndaj Lirisë në fundjavën që shkoi.
Pasi Komisioni i Garave i Superligës dhe i Ligës së Parë e bëri inicimin disiplinor, fjalën e fundit e tha Komisioni Disiplinor, i cili ka vendosur që ta gjobisë Vushtrrinë me 2.000 euro, ndërsa klubit në fjalë i është tërhequr vërejtja e fundit para suspendimit të terrenit vendës, shkruan “Gazeta Express”.
Komisioni i Garave gjeti shumë parregullsi në ndeshjen e së shtunës, ndërsa më e rënda ishte kur lojtarët dhe gjyqtarët pas ndeshjes u gjuajtën me shishe plastike të mbushura me zall, me gurë dhe me shkrepëse e sende të tjera të forta, përveç sharjeve të shumta verbale.
Me këtë rast, lojtarët prizrenas u desh të qëndronin në fushë për plot 20 minuta derisa të zbrazeshin tribunat.
Më poshtë mund ta lexoni vendimin e Komisionit Disiplinor dhe të Etikës:
“KF Vushtrria. Lëshime në organizimin e ndeshjes. Në minutën e parë të ndeshjes janë hedhur në fushë mjete piroteknike (tymuese), që kanë shkaktuar ndërprerjen e lojës për rreth 30 sekonda. Në minutat 50 dhe 74 janë hedhur në fushë disa shisheplastike. Në minutën e 84-të, pas shënimit të golit nga KF Liria, një pjesë e tifozëve të Vushtrrisë kanë reaguar duke hedhur gurë, shkrepëse dhe sende të forta në drejtim të trajnerit dhe bankinës së KF “ Liria”.
Pas përfundimit të ndeshjes, nga tribuna perendimore janë hedhur në drejtim të gjyqtarëve dhe lojtarëve të KF Lirisë shishe plastike të mbushura me zallë, gurë, shkrepëse dhe sende të tjera të forta, përveç sharjeve dhe fyerjeve të shumta verbale. Si pasojë, gjyqtarët dhe lojtarët qëndruan në fushë për rreth 20 minuta. Sipas raportit të delegatit tëndeshjes, fotografive dhe xhirimeve televizive të ndeshjesVushtrria –Liria. Bazuar në nenin 6 paragrafi 1 pika C dhe neni 18 paragrafi 2 pika C të Rregullores disiplinore; Dënohet me shumë prej 2000 euro. Afati i pagesës është 15 ditë kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.
II.KF “ Vushtrria” , i tërheqet Vërejtja e fundit para suspendimit të terrenit.” /Gazeta Express