Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje të premten nga Gjakova ka folur edhe për procesin e krijimit të qeverisë së re, e cila po ndodh gati me 9 muaj vonesë. Kurti ka përmendur dështimin e tij për të marrë 61 vota në përpjekjen e parë për krijimin e Qeverisë Kurti III dhe ka thënë se për këtë arsye kanë mandatuar Glauk Konjufcën si mandatar të ri.
Megjithatë Kurti ka treguar se me çështjen e Konjufcës si mandatar dhe me sigurimin e votave për të do të merren pasi të përfundojë gara e balotazhit, e në të cilën LVV është e përfshirë në disa komuna, në veçanti Mitrovicën e Jugut ku Kurti është i fokusuar jashtëzakonisht shumë.
“Meqë unë s’i mora 61 votat e nevojshme, dhamë edhe propozimin tjetër pa vonesë, dhe me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit”, ka thënë Kurti në Gjakovë.
Deri tani asnjë prej partive të ish-opozitës s’kanë dhënë sinjale se mund ta votojnë Konjufcën për kryeministër dhe kanë kërkuar shkuarjen në zgjedhje si e vetmja zgjidhje. Konjufca ka pas mandatimit nga presidentja kishte deklaruar se duan qeveri kalimtare pa koalicione për ta votuar buxhetin, planin e rritjes së BE-së, dhe buxhetin e RTK-së./Express/