Ish-fusha e grumbullimit të mbetjeve urbane në Lushnje është përfshirë nga flakët e zjarrit.
Situata i ka dalë nga kontrolli një fermeri që po digjte mbeturina në tokën bujqësore dhe zjarr është përhapur me shpejtësi nga era e fortë.
Përmasat e zjarrit u rritën frikshëm duke mbuluar të gjithë ish-fushën e mbetjeve urbane të qytetit e cila është ngjitur me banesat në lagjen 18 tetori.
Tymi mbuloi gjithë zonën përreth, ndërkohë që 4 ekipet e zjarrfikësve të Bashkisë Lushnje si dhe efektivë të Policisë së Shtetit të ndihmuar edhe nga banorët me mjete rrethanore nuk kanë lejuar flakët të përfshijnë banesat.
Momentalisht zjarrfikësit e kanë vënë nën kontroll zonën e përfshirë nga flakët dhe nuk ka rrezik për banesat. Uniformat blu kanë identifikuar autorin e zjarrvënies dhe janë në kërkim të tij.