Merkeli paralajmëron për pandeminë: Po rrezikojmë gjithçka që kemi arritur - Gazeta Express

Merkeli paralajmëron për pandeminë: Po rrezikojmë gjithçka që kemi arritur

Lajme

Gazeta Express

30/09/2020 12:17

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë gjatë një fjalimi në Bundestag se gjermanët janë në procesin e rrezikimit të gjithçkaje që është arritur në muajt e fundit, duke iu referuar pandemisë.

Duke e komentuar rritjen e numrit të rasteve të koronavirusit në javët e fundit, ajo u bëri thirrje gjermanëve që të mos tregohen të shkujdesur ndaj koronavirusit për shkak se, sipas saj, rregullat dhe kufizimet do të ishin humbje kohe, nëse njerëzit nuk i respektojnë ato.

“Unë jam e sigurt se jeta siç e kemi njohur do të kthehet”, tha Merkel para deputetëve gjermanë pasi e mbrojti vendimin për marrje të borxhit me miliarda euro shtesë gjatë vitit të ardhshëm, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ajo shtoi se Gjermania është duke u përballur me një fazë të vështirë, ndërsa zyrtarët shëndetësorë njoftuan se të mërkurën janë regjsitruar 1,798 raste të reja të infektimeve dhe 17 raste fatale për 24 orë.

Kancelarja u pajtua me 16 kryeministrat rajonalë të martën që ndejat private duhet të kufizohen me 25 persona dhe që të jepen gjoba për të gjithë ata që nuk ofrojnë të dhëna të sakta të kontaktit për ta ndihmuar përcjelljen e kontakteve.

Megjithatë, ajo u shpreh me shpresë se gjendja do të përmirësohet. “Familjet do të bëjnë ndeja përsëri; klubet, teatrot dhe stadiumet e futbollit përsëri do të jenë plot, por tani ne duhet të tregojmë se mund të vazhdojmë të sillemi me durim dhe ndjeshmëri dhe në këtë mënyrë ne mund të shpëtojmë jetë”, shtoi kancelarja Merkel.