Më shumë se 30 shtëpi në fshatin Grejkoc të Suharekës kanë mbetur pa ujë tash e dy ditë. Këtë e ka bërë të ditur mërgimtari Nazim Cenaj, i cili thotë se banorët kanë kontaktuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të zgjidhur problemin.
Në një bisedë telefonike për KosovaPress, Cenaj tregoi se për shkak të mungesës së ujit, banorët nuk kanë mundur të kryejnë nevojat elementare të përditshme, përfshirë pastrimin.
Sipas tij, shkaku i ndërprerjes është një pajisje e prishur që shërben për nxjerrjen e ujit. Ai shton se mbi 30 shtëpi të këtij fshati vazhdojnë të jenë pa furnizim me ujë.
“Që dy ditë nuk kemi as ujë, janë duke na gënjyer, çdo sekondë i thërrasim, na thonë ‘jo e kemi rregulluar, jo nuk e kemi rregulluar. Që dy ditë, nuk po mundemi as sytë t’i pastrojmë diku. Në komunë të Suharekës, në fshatin Grejkoc…Problemi sipas tyre është, të gjitha çka i kërkojnë për t’i paguar ujërat, të gjithçka i kemi të paguara. Sipas tyre është prishur një siguresë e pompës që e ngreh ujin. Po thonë që e kanë lëshuar, e që dy ditë nuk po na vije neve asnjë pikë uji…As që kanë shkuar të shohin. E kemi shtëpinë dhe në të gjithë lagjen çka janë shtëpitë aty kemi mbetur pa pikë uji. Nuk po mund të pastrohemi a diçka të kemi në shtëpi tënden. Jemi rreth 30-40 shtëpi. Ne pa ujë, veç të shkojmë në hotel për t’u pastruar. Shtëpisë po i vije aroma pa e pastruar, pa asgjë. Nuk kemi mundur as të bëjmë bukë, apo të pastrojmë pjata apo diçka”, tregon Cenaj.
KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...