Përfaqësues të Fondacionit „Vildana”, i krijuar nga diaspora kosovare në Zvicër, bashkë me disa studentë të UP-së përfitues të bursave nga ky fondacion, vizituan Universitetin e Prishtinës.
Koordinatori i këtij fondacioni për Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, Labinot Kunushevci, në një takim me drejtues të UP-së, tregoi se Fondacioni „Vildana”, i themeluar në vitin 2021, deri tash ka ndarë 50 bursa për studentët shqiptarë të Kosovës dhe vendeve tjera përreth, 40 nga të cilat për studentët e Universitetit të Prishtinës.
Ai tregoi se veçantia e këtyre bursave qëndron në faktin se ndahen për çdo muaj dhe zgjasin derisa studenti-përfitues të përfundojë studimet, ndërsa jepen për nivelet bachelor e master.
Studentët që marrin bursa nga fondacioni „Vildana” nuk duhet të kenë ose aplikojnë për ndonjë bursë tjetër, derisa përparësi përzgjedhjeje kanë aplikantët nga familje me shumë studentë, ata që mund të mos kenë ndonjërin nga prindërit ose ata që studiojnë në drejtime më të kushtueshme. Thirrja për bursa publikohet çdo vit në shtator, para fillimit të vitit akademik nëpër universitete.
Koordinatori Kunushevci tha se diaspora shqiptare beson në kapacitetet e studentëve të UP-së dhe e cilësoi investimin në edukim si investimin më të sigurt. Ai bashkë me studentët e UP-së Shkumbin Haxha, Elza Nuredini, Anika Fonda, Zana Morina e Art Gjuli, u pritën nga rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja.
Fondacioni „Vildana” është themeluar për ta nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e një gruaje kosovare me të njëjtin emër që jetoi e punoi në Zvicër, ndërsa përveç nga familja e saj, mbështetet me donacione edhe nga mërgimtarët tjerë. /UP