Mercedes-Benz prezanton veturën e së ardhmes, të frymëzuar nga filmi "Avatar" - Gazeta Express
string(74) "mercedes-benz-prezanton-veturen-e-se-ardhmes-te-frymezuar-nga-filmi-avatar"

Mercedes-Benz prezanton veturën e së ardhmes, të frymëzuar nga filmi “Avatar”

Gazeta Express

07/01/2020 20:50

I frymëzuar nga filmi “Avatar”, Mercedes-Benz në panairin e teknologjisë CES 2020 që po mbahet në Las Vegas, ka prezantuar konceptin e saj të ri të së ardhmes – Vision AVTR. Me këtë koncept, Mercedesi dëshiron të tregojë mundësinë e ndërveprimit mes njeriut, makinerisë dhe natyrës.

Koncepti Mercedes-Benz Vision AVTR (Advanced Vehicle Transformation – “Automjeti i Avancuar Transformues”) po cilësohet si një “organizëm i gjallë” i cili mund të lidhet me përdoruesit e vet dhe i cili ua mundëson ta ndjejnë botën përreth vetes.

Lexo Edhe:

Në fakt, koncepti AVTR me përdoruesin krijon një lidhje biometrike, ku duke vendosur dorën në konzolën që gjendet në mes të veturës ai mund të përcjellë të rrahurat e zemrës, ndërsa ekrani i lakuar krijon lidhjen vizuele të pasagjerit me botën e jashtme, transmeton Koha.net. Ndriçimi dhe dizajni i enterierit imitojnë shtëpitë e popullit Na’vi në filmin “Avatar”.

Gjithashtu, ulëset, paneli i përparmë dhe dyshemeja janë të ndërtuar nga materiali i ri i recikluar, i tillë si lëkura e rreme “Dinamica” dhe druri “Karoon”.

Mercedes-Benz Vision AVTR është një veturë tërësisht autonome dhe elektrike e cila ka katër motorë elektrikë me kapacitet në total prej 350 kW/476 kuajfuqi, të cilët përdorin teknologjinë e baterive organike të krijuara nga materialet e recikluara.

Me vetëm një mbushje të baterisë me kapacitet prej 110 kWh, koncepti Vision AVTR mund të udhëtojë deri rreth 700 kilometra. Po ashtu, duhet theksuar se ky koncept ka edhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Vision AVTR, po ashtu, shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë mund ta arrijë për 4,3 sekonda ndërsa atë maksimale e ka të kufizuar në 160 km/h.

Gjithashtu, rrotat këtij koncepti i mundësojnë të lëvizë anash ose edhe në mënyrë diagonale.

Mercedes-Benz VISION AVTR Concept