MEPSO: Qytetarëve nuk i dhimbsen të hollat për internet, e për rrymë reagojnë - Gazeta Express

MEPSO: Qytetarëve nuk i dhimbsen të hollat për internet, e për rrymë reagojnë

Ballina

Gazeta Express

10/08/2020 18:31

“Qytetarëve nuk i dhimbsen të hollat për internet, e kur vjen puna te energjia elektrike reagojnë. Nuk duhet krahasuar çmimi i rrymës me pagën mesatare në vendin tonë.” Këto janë disa nga përgjigjet e MEPSO-s e cila ka reaguar ndaj pakënaqësisë së qytetarëve për rritjen e çmimit të rrymës.

“Për fat të keq, në segmente të caktuara të shoqërisë sonë ende ka paragjykime edhe për ndryshimin më të vogël të çmimit të energjisë elektrike. Një pjesë e kritikuesve të çmimit të energjisë elektrike, njëkohësisht, për celularin me internet janë të gatshëm që të paguajnë shuma të konsiderueshme parash, shpeshherë më të larta se shumat për faturën e rrymës. Gjithashtu, si faturë e lartë konsiderohet kur energjia elektrike përdoret për ta ngrohur tërë shtëpinë ose banesën”, thonë nga MEPSO.

Nga EVN për TV21 thonë se tarifat e reja të përcaktuara sa i përket pjesës së EVN-së, janë të zvogëluara në krahasim me të mëparshmet.

“Tarifat e reja të përcaktuara sa i përket pjesës së EVN-së, janë të zvogëluara në krahasim me të mëparshmet. Rritja e çmimit për konsumatorët e instancës së fundit kryesisht është pasojë e shpenzimeve të kompanive shtetërore të cilat gjithashtu u deklaruan se janë reale dhe valide. Andaj, nuk ju takon kompanive ta komentojnë deklaratën e Komisionit Rregullator për Energjetikë”, theksojnë nga EVN.

Edhe nga ESM sikurse dy kompanitë e lartpërmendura thonë se nuk do të kërkojnë ulje të çmimit të energjisë elektrike nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.

“Mendoj se me çmimin që i kemi dhënë furnizuesit universal EVN Home, ne kemi arritur në prag të mbijetesës së kompanisë dhe nuk mund t’i ulim ato çmime, sepse përndryshe kompania do të pësojë humbje serioze dhe kjo do të pasqyrohet në tre, pesë vitet e ardhshme”, deklaroi Vasko Kovaçevski, drejtor i ESM.

Pas protestave që realizuan qytetarët të enjtën kundër vendimit të Komisionit rregullator për energjetikë, kryetari i këtij komisioni Marko Bislimovski tha se do ta tërheqë vendimin për shtrenjtim, nëse e kërkojnë kompanitë energjetike, si MEPSO, EVN dhe ELEM. Mirëpo nga këto kompani thonë se një gjë e tillë nuk është e mundur sepse me fitimin që kanë nuk mund të realizonin punën dhe investimet e planifikuara.

Edhe pas protestave të së enjtes, gjatë fundjavës kishte reagime tjera nga ana e qytetarëve.

“Është e papranueshme Komisioni rregullator të vendosë çmim për rrymën e cila është për 7.4% më e lartë dhe të vlejë vetëm për qytetarët. A jemi shtet social apo jemi rob të sistemit që duhet t’i financojmë jopunëtorët, parazitët dhe ata që i marrin shumat enorme nëpër xhepat e tyre”, u shpreh një qytetar.

Edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka kërkuar nga KRRE ta analizojë edhe një herë dhe të anulojë këtë vendim. Në të kundërtën kanë vlerësuar se duhet të rriten pagat dhe pensionet për 7.4%. Ndërkaq nga Këshilli organizativ i protestave “Boll më” kanë thënë se do t’i radikalizojnë protestat nëse nuk anulohet shtrenjtimi i rrymës brenda 10 ditësh.
Përndryshe sipas institucionit ndërkombëtar Eurostat Maqedonia e Veriut rangohet e katërta me radhë në Evropë, për rrymën më të shtrenjtë në raport me pagën mesatare.