"Menduam se ndodhi tërmet…Shefin nuk e njoha nga lëndimet”, Express sjell rrëfimet nga shpërthimi në Ferizaj - Gazeta Express
string(104) "menduam-se-ndodhi-termetshefin-nuk-e-njoha-nga-lendimet-express-sjell-rrefimet-nga-shperthimi-ne-ferizaj"

Lajme

Merita Miftari

06/01/2021 16:45

“Menduam se ndodhi tërmet…Shefin nuk e njoha nga lëndimet”, Express sjell rrëfimet nga shpërthimi në Ferizaj

Lajme

Merita Miftari

06/01/2021 16:45

Shpërthimi i papritur i bombolës së gazit që përmbante 25 litra, e vendosur në kuzhinën e restorantit “Steak House” në Ferizaj, ka lënë dhjetëra persona të lënduar si dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Zjarri i shkaktuar i detyroi njerëzit që për një moment të dilnin nga aty, duke lënë mbi tavolinë telefonat, xhaketat e gjësendet e tjera. Punëtori i lokalit ku ndodhi tërmeti nuk e njohu shefin për shkak të lëndimeve të mëdha që kishte pësuar ai, ndërsa ata përreth menduan se ndodhi tërmet. Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar sot në Ferizaj nga ku sjell rrëfimet e personave që panë tmerrin me sy

Frikë dhe traumë është shkaktuar në zonën e Ferizajt ku një ditë më parë ndodhi një shpërthim i fuqishëm. Madje një banor i ndërtesës, që ndodhet në afërsi të “Steak House”, nuk po ndihet i sigurt të kthehet në banesën e tij, pasi nga shpërthimi janë çarë edhe muret.

Lexo Edhe:

“Unë nuk kam qenë këtu kur ka ndodh incidenti, por e kam njohur stafin e restorantit, pasi banoj këtu dhe dëgjova që disa nga ta janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Muret e banesës m’u kanë ça, për fat të mirë gruaja ka shku te familja e saj me fëmijë, prindërit kanë dalë kur ka ndodh shpërthimi, unë tani erdha me marrë diçka brenda. Nuk po ndihem i sigurt me u kthy sërish në banesë”, tha ai për Gazetën Express.

Kështu duket sot lokali ku ndodhi shpërthimi
Vendi është rrethuar me shirita të policisë, përveç Ekipit të Forenzikës nuk po lejohet të kalojë askush

Ndërsa, punëtori i banakut në restorantin ku ndodhi shpërthimi pohon se nuk e ka njohur shefin e tij për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar ai.

“Kam qenë në banak, jam ulë me marrë pije poshtë, edhe veç i kam qitë duart përmbi kokë skam ditë, kam nejt 30 sekonda edhe jam çu kam dalë jashtë. Shefin s’e kam njoft, qaq u konë në gjendje të keqe saqë s’e kam njoft. Unë jam mire, vetëm gishtat i kam lëndu”, rrëfeu punëtori i “Steak House” për Gazetën Express.

Punëtori i cili fatmirësisht i lëndoi vetëm gishtat

Sipas mjekëve, pronari i restorantit, Genc Sopa, ka pësuar lëndime të mëdha dhe ndodhet në gjendje të rëndë. E lëndime ka pësuar edhe një grua shtatzënë bashkë me vajzën e saj të vogël, gjithashtu mësohet se brenda lokalit kishte pasur edhe mërgimtarë.

Dëmtime pësuan edhe veturat e parkuara në afërsi të restorantit

Rastin e ka rrëfyer edhe punëtori i “A and M Clothes”, Venhar Bytyçi, i cili në momentin e shpërthimit ishte brenda këtij dyqani, por shpëtoi mrekullisht.

“Në ato momente kemi qenë në orarin e punës, në depo kanë qenë vetëm katër punëtorë, shumica e punëtorëve kanë qenë në lokal. Kur ka ndodhë shpërthimi i bombolës së gazit ka qenë tmerr i madh sepse ne menduam që është ndonjë tërmet, se shpërthimi ka qenë shumë i madh, më pas dolëm jashtë”, tha Bytyçi për Gazetën Express.

Ai shtoi se katër kolege të tij kanë pësuar lëndime të rënda trupore, teksa pohoi se edhe në dyqan janë shkaktuar dëme të mëdha.

“Koleget e mi kanë pësuar lëndime të mëdha trupore dhe gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë, sidomos katër vajza kanë pasoja shumë të mëdha, i kam parë krejt gjak në fytyrë dhe në kokë, kanë pas lëndime shumë të mëdha. Me koleget kam bisedu, dy janë më mirë e dy të tjera kanë lëndime më të rënda. Gjendja e lokalit është katastrofë ka edhe dëme të mëdha”, përfundoi ai.

Duke folur për Gazetën Express, menaxherja e këtij dyqani, tha se punëtoret e saj kanë pësuar lëndime të mëdha dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Kam qenë në shtëpi kur ka ndodh rasti, kur dëgjova në vendin e ngjarjes kam arritur për 10 minuta, 4 punëtore i kam të lënduara, tri janë më pak të lënduara e njëra në gjendje të rëndë shëndetësore. Ka qepje në hundë, në kokë, është shumë keq. Dëmtime në lokal kemi shumë, por për neve është e rëndësishme punëtorja me qenë mirë me shëndet. Në momentin e shpërthimit kemi pasur 20 punëtorë në të dy lokalet. 21 vjet i ka punëtorja që ka pësu lëndime të rënda trupore, e kam vizitu dy herë, ka dhimbje dhe është me traumë. Kanë mendu që ndodhi tërmet, pastaj kanë dalë dhe ka arritur autoambulanca për t’i transportuar njerëzit në Emergjencë”, tha ajo.

Teksa shtoi se në gjendje të rëndë shëndetësore është edhe farmacistja e barnatores, e cila në momentin e shpërthimit ishte në vendin e saj të punës.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Jeton Zeqiri, ka dhënë detaje të hollësishme për rastin. Ai tha se si pasojë e shpërthimit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 44 persona, nga kjo shifër 14 kanë pësuar lëndime më të rënda trupore, nga të cilët 7 janë në trajtim intensiv ndërsa pronari i lokalit ka gjendjen më të rëndë shëndetësore.

“Pas shpërthimit të në një restorant në Ferizaj, 44 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 14 nga ta janë dërguar në QKUK për trajtim të nivelit terciar. Ndërsa pacientët e tjerë janë liruar, gjendja e tyre ka qenë e lehtë dhe jo e domosdoshme për hospitalizim”, tha Zeqiri për Gazetën Express.

“Në mesin e të lënduarve është edhe një grua shtatzënë”

“Djegie, njëra nga pacientet është një grua shtatzënë që ka pësuar lëndime në fytyrë, që për shkak të specifikave është dërguar në QKUK, gjendja e gruas dhe fëmisë është stabile, ne aspektin gjinekologjik është një shtatzëni e hershme. Djegia është e shkallës së lehtë dhe presim që edhe ajo shumë shpejt të lirohet nga spitali. Pacientja në fjalë e ka pas me vete edhe një vajzë të vogël, gjendja e saj është stabile, është një djegie në regjionin e fytyrës nga pjesa e veshit, kështu që çdo gjë është e trajtueshme dhe e menaxhueshme”, tha më tej doktor Zeqiri.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se rastin e kanë cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar bashkë me Forenzikën dhe Njësinë Rajonale të Hetimeve.

“Rreth orës 14:00 ka ndodhur një shpërthim në restorantin “Steak House”, dyshohet se shpërthimi ka ardhur si rezultat i bombolës së gazit, ku aty janë dërguar 44 persona, 15 në gjendje më të rëndë shëndetësore të cilët dje janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, për momentin gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë”, tha kryeprokurori për Gazetën Express.

“Dyshimet janë se ka eksplodu bombola e gazit, hetimet janë duke vazhdur, pra njësiti i Forenzikës dhe Njësia Rajonale e Hetimeve së bashku me prokurorin kanë qenë në vendin e ngjarjes mbrëmë deri në orët e vona, ashtu edhe sot në mëngjes kanë bë ekzaminimin e vendit të ngjarjes. Rastin e kemi cilësu si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, përfundoi Jashari.

/Gazeta Express/