Menaxheri i Kombëtares: Nuk kemi dështuar vazhdimisht, po veç në vitin 2023 - Gazeta Express
string(73) "menaxheri-i-kombetares-nuk-kemi-deshtuar-vazhdimisht-po-vec-ne-vitin-2023"

Menaxheri i Kombëtares: Nuk kemi dështuar vazhdimisht, po veç në vitin 2023

Futboll

Gazeta Express

12/02/2024 10:03

Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala ishte mbrëmë mysafir në emisionin sportiv “Favorit” në T7, ku prej temave të shumta që u diskutuan, foli edhe për gjendjen aktuale të Kombëtares, por edhe për rrjedhën e saj që nga pranimi në UEFA e në FIFA.

Shala insiston se “Dardanët” nuk kishin dështime të vazhdueshme, duke e përmendur vetëm vitin që shkoi si dëshpërues dhe dështues, shkruan “Gazeta Express”.

Lexo Edhe:

Ai ndër të tjera i përmendi edhe faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e zbehta të Verdhekaltërve  në kualifikimet e fundit.

“U tha disa herë se kemi dështuar vazhdimisht, unë nuk konsideroj se kemi dështuar vazhdimisht deri tash. Ne e kemi pasur një kampanjë kualifikuese për Botërorin ‘Rusia 2018’ ku e kemi marrë veç një pikë, po është e vërtetë. Mund të jenë rezultate të pafavorshme, mirëpo ka pasur shumë faktorë që kanë ndikuar në atë ecuri atëherë duke filluar prej mospërvojës, qoftë si ekip, qoftë i lojtarëve individualisht, pastaj kushteve në të cilat kemi punuar, mungesës së stadiumit dhe shumë faktorë të tjerë. Kjo ka qenë kampanja e parë kualifikuese dhe nuk ka qenë absolutisht e suksesshme dhe diçka për t’u krenuar.”

“Pastaj Nations League edicioni i parë dhe kualifikimet për Evropian për herë të parë, që ka qenë periudhë fantastike, i kemi pasur 14 ndeshje pa humbje, kemi treguar lojëra shumë të mira ndaj kombëtareve goxha të forta dhe me nam. Pastaj e kishim fitoren ndaj Çekisë, paraqitja e mirë në Angli, triumfi në Bullgari e ndeshje të tjera që nuk mund të thuhet që kanë qenë dështim.”

“Ka pasur COVID-i, goditja që e ka marrë ekipi kombëtar, shumë probleme me të cilat jemi përballur në atë kohë për shkak të mungesës së futbollistëve e gjithçka tjetër. Pothuajse në të njëjtën klime dhe kushte i kemi zhvilluar edhe pothuajse gjysmën e kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2022, që nuk kanë qenë për t’u krenuar, por po ashtu nuk mund të themi se kanë qenë dështim masiv.”

“Kurse, dështimi ka ardhur ne kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024 dhe këtë s’mund ta mohojë askush. Ka qenë një vit me shumë dështim. Në aspektin e rezultateve, absolutisht që viti 2023 ka qenë një vit që nuk do të donim më që asnjëherë të na përsëritet. Në një grup me ato Kombëtare që kemi qenë, me përfundu në vendin e pestë është dështim dhe këtë duhet ta pranojmë haptas.”

“Ne nuk kemi dështuar në vazhdimësi, por kemi dështuar vetëm në këtë rast. Ndoshta e kemi marrë me pak më shumë se që duhet lehtësi edicionin e fundit, por ka edhe shumë faktorë që i kemi parë gjatë rrugës duke filluar prej formës së futbollistëve, shtabit teknik, për atë arsye janë ndërruar edhe dy trajnerë, për herë të parë brenda një viti. të gjitha këto kanë kulmuar për të përfunduar në atë pozitë në të cilën kemi përfunduar.” /Gazeta Express/