Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, së bashku me kandidatin për kryetar të Gjilanit, Riad Rashiti, kanë takuar mbrëmë studentët e këtij qyteti, duke ndarë mesazhe motivuese dhe vizionin për të ardhmen e rinisë.
Krasniqi ka thënë se me Rashitin në krye, Gjilani do të bëhet qyteti i studentëve, një qytet që i mbështetë, u hap dyer dhe u jep më shumë hapësira për të mësuar, jetuar e krijuar.
“Ju ftoj nga zemra, me bindje të plotë, që më 12 tetor ta bëni zgjedhjen ma të mirë e zgjedhja ma e mirë është e qartë: të votoni numrin 191, të votoni Riad Rashitin dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Sepse kjo zgjedhje është më shumë mundësi për të rinjtë dhe të rejat e Gjilanit, më shumë mundësi për studentët, është zgjedhja e duhur për një Gjilan ma të mirë, për një komunë më të zhvilluar dhe më të drejtë për të gjithë”, ka theksuar ai.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, Riad Rashiti premtoi bursa për studentët, kurse falas për aftësim profesional, fuqizim të këshillit rinor në Gjilan, stimulim të punës vullnetare, mbështetje për klubet sportive rinore.
“Po zotohemi publikisht dhe ju siguroj që në qeverisjen time komunale, bashkë me potencialin tuaj, do të jeni pjesëmarrës në vendimmarrje për një Gjilan ma të mirë, ku idetë tuaja do të mbështeten dhe ku puna juaj do të vlerësohet”, ka thënë ai.