string(96) "memli-krasniqi-pdk-e-gatshme-te-marre-pergjegjesi-per-ndertimin-e-nje-qeverie-me-ldk-aak-e-nisma"

Lajme

Gazeta Express

04/06/2025 17:08

Memli Krasniqi: PDK e gatshme të marrë përgjegjësi për ndërtimin e një qeverie me LDK, AAK e NISMA

Lajme

Gazeta Express

04/06/2025 17:08

Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot Këshillin Drejtues, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit shënuan një pikë kthese për Kosovën, sepse vendi u nxor nga monizmi dhe sundimi i një partie të vetme dhe një kapitull të ri për PDK-në, si dhe një kapitull të ri për PDK-në.

“Me kandidat për Kryeministër kompetent dhe të besueshëm si Bedri Hamza, me strukturë të qëndrueshme dhe anëtarësi që nuk u ndal asnjë çast drejt ringritjes dhe forcimit të partisë, me një ofertë zhvillimore dhe të matshme, me një listë kandidatësh të jashtëzakonshëm, me afro 200 mijë qytetarë që na dhanë besimin e tyre, PDK dëshmoi se jo vetëm është forca më stabile në vend, por se është edhe streha e shpresës për një Kosovë ma të mirë. Ky është kapitulli ynë i ri dhe ne nuk guxojmë të ndalemi këtu, sepse ky rezultat, i cili është ndër më të mirët në historinë e partisë tonë, nuk është thjesht një numër, por është një sinjal i qartë se qytetarët duan maturi, përmbajtje dhe drejtim të sigurt”, tha Krasniqi.

Kryetari Krasniqi kritikoi Albin Kurtin për bllokadë institucionale dhe arrogancë politike, ndonëse PDK ka ofruar zgjidhje për të dalë nga vakumi.

“Ne kemi kërkuar ndërrimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit. Kemi pranuar dhe ftesën e Albin Kurtit për takim, e cila ishte më shumë si një kurth për të na futur edhe ne në një thes me partitë tjera, si parti refuzuese. Kemi propozuar mbajtjen e një takimi gjithëpërfshirës nga Presidentja, që u mbajt më 15 maj. Dhe kemi ofruar edhe mundësinë e krijimit të një Qeverie të re nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma, me Kryeministër Bedri Hamzën, jo për interesa partiake, por për interesin e Kosovës. PDK ka qenë dhe është e gatshme të marrë përgjegjësi për të ndërtuar një Qeveri të opozitës së djeshme, me një plan dinamik për të trajtuar sfidat emergjente për shtetin dhe qytetarët, një qeveri që do t’i jepte përparësi rimëkëmbjes ekonomike, sigurisë kombëtare, forcimit të institucioneve dhe partneritetit me SHBA dhe BE. Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet një qeveri që punon, jo që bllokon”, tha ai.

Tutje, Krasniqi kërkoi mobilizimin e të gjithë anëtarëve dhe strukturave për përgatitjet për zgjedhjet lokale.

“Sërish, synojmë të garojmë me njerëzit më të përkushtuar, më të ndershëm dhe më kompetent – për të thelluar qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar në shumë komuna të vendit. Qëllimi ynë është i qartë: Të rikonfirmojmë fitoren në të gjitha komunat që i udhëheqim sot – dhe bazuar në qeverisjen e mirë të këtyre katër viteve, kjo është më se e arritshme. Të fitojmë edhe në disa komuna të tjera, ku potenciali është i jashtëzakonshëm. Por, fitorja që synojmë nuk arrihet pa ju, pa mbështetjen, energjinë dhe kontributin tuaj”, shtoi lideri i PDK-së.

Kryetari Krasniqi shprehu shqetësimin lidhur me vendimin Dhomave të Specializuara në Hagë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për të vazhduar paraburgimin ndaj Presidentit Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli, bacës Jakup dhe Rexhep Selimit është një padrejtësi që nuk guxojmë ta normalizojmë. Refuzimi i lirimit me kusht, pavarësisht përfundimit të paraqitjes së provave, është shkelje e parimeve themelore të drejtësisë. Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi. PDK nuk do të ndalet së kërkuari që kjo padrejtësi të marrë fund, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me respekt për sakrificën tonë kolektive”, tha Krasniqi.

Edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza falënderoi të gjithë anëtarët, përkrahësit dhe strukturat e partisë për mbështetjen, si dhe për angazhimin e madh për rezultatin e arritur.

Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Citaku duke theksuar se rezultati i 9 shkurtit ka qenë ndër më të mirët që partia e ka marrë, kërkoi mobilizimin e të gjitha strukturave edhe për garën nëpër komuna.

“Shpresoj që në këtë frymë të unitetit dhe cilësinë e kandidatëve, do të kemi sukses edhe në zgjedhjet lokale”, shtoi ajo.

aaaaa