Memli Krasniqi në Çabër: Ku ka shqiptarë ka edhe PDK, më 12 tetor mbështesni fuqishëm Izmirin, Ilirin, Fluturën dhe Shaqirin - Gazeta Express
string(120) "memli-krasniqi-ne-caber-ku-ka-shqiptare-ka-edhe-pdk-me-12-tetor-mbeshtesni-fuqishem-izmirin-ilirin-fluturen-dhe-shaqirin"

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 12:40

Memli Krasniqi në Çabër: Ku ka shqiptarë ka edhe PDK, më 12 tetor mbështesni fuqishëm Izmirin, Ilirin, Fluturën dhe Shaqirin

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 12:40

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi mbrëmë në një tubim me përkrahës e struktura të PDK-së të mbajtur në Çabër, në mbështetje të kandidatëve të PDK-së për kryetarë të katër komunave në veri, ka thënë se ata janë përfaqësuesit më dinjitozë të qytetarëve të asaj ane.

Krasniqi është shprehur se PDK është parti e përgjegjësisë, e shpresës dhe punëve konkrete.

“Ju, të gjithë katër kandidatët për kryetarë të këtyre katër komunave, ekipet tuaja, qytetarët e gjithë pjesës veriore të vendit, jeni dëshmia më e mirë së PDK është e shtrirë në çdo cep të Republikës së Kosovës. Ju jeni garancia, e keni qenë gjithmonë që nga themelimi jonë që kudo që ka shqiptarë ka edhe PDK”, tha ai.

Krasniqi theksoi se asnjë qytetar nuk duhet të mbetet pa u kontaktuar, asnjë familje nuk duhet të mbetet pa e ndjerë dorën dhe fjalën e PDK-së dhe të kandidatëve të saj: Izmir Zeqiri për Zubin Potok, Ilir Pecin për Zveçan, Flutura Hamza për Mitrovicën e Veriut dhe Shaqir Hetemin për Leposaviq.

“Më 12 tetor ju ftoj të mbështesni fuqishëm Izmirin, Ilirin, Fluturën dhe Shaqirin, të mbështesni kandidatet dhe kandidatët tanë për kuvendet komunale”, kërkoi Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri kërkoi mbështetje për mandatin e radhës duke u zotuar bashkëpunim që garanton paqe, pa frikë dhe pa urrejtje.

“Komuna e Zubin Potokut meriton zhvillim, meriton përfaqësim të dinjitetshëm, meriton paqe dhe një të ardhme, ku secili qytetar ndihet i respektuar dhe i barabartë”, tha ai.

Kurse, kandidatja e PDK-së për Komunën e Mitrovicës së Veriut, Flutura Hamza u zotua për investime infrastrukturore si ndërtimi i rrugëve të reja, shkollave, çerdheve, si dhe rindërtimin e shtëpive të shkatërruara

“Pres përkrahje për të gjithë kandidatët dhe në përgjithësi për PDK-në që jemi subjekt i dëshmuar për angazhim të vazhdueshëm, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve gjithmonë, pa interes”, tha ajo.