Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e tij për zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai ka theksuar se më shumë se katër vjet e gjysmë pas paraburgimit të tyre, ende nuk ka një vendim përfundimtar, ndërsa ka ngritur alarmin për shkelje të standardeve të drejtësisë.
Krasniqi theksoi se shmangia nga parimet themelore të një gjykimi të drejtë ka cenuar të drejtat e të akuzuarve dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ai u ndal edhe te raportimet e fundit që sugjerojnë përdorimin e provave të fabrikuara nga struktura shtetërore të Serbisë në këtë proces, duke i cilësuar këto si shqetësime serioze.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë,” ka deklaruar Krasniqi.
Në këtë frymë, ai ka shprehur përkrahjen për protestën e paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, e cila do të mbahet më 7 gusht në orën 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste,” u shpreh kryetari i PDK-së.
Protesta, sipas tij, është një formë demokratike e shprehjes së qëndrimit qytetar dhe bindjes së thellë për pafajësinë e të akuzuarve.