Memli Krasniqi: Do të shkojmë në takimin e ftuar nga Kurti e Osmani - Gazeta Express
string(66) "memli-krasniqi-do-te-shkojme-ne-takimin-e-ftuar-nga-kurti-e-osmani"

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

12/03/2021 12:45

Memli Krasniqi: Do të shkojmë në takimin e ftuar nga Kurti e Osmani

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

12/03/2021 12:45

PDK-ja i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për të marr pjesë në takimin ku do të diskutohet për formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kjo ftesë e VV-së erdhi pasi kjo parti mori gati 50% të votave të përgjithshme në këto zgjedhje

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ftesa për tri partitë më të mëdha në vend, për të biseduar rreth konstituimit të institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, shkruan Gazeta Express.

Partia e parë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së liderit të VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ka konfirmuar për Express, se kjo parti do të marrë pjesë të hënën në takimin e thirrur nga Kurti e Osmani.

“PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë Krasniqi për Express.

Lidhur me këto ftesa sot gjatë ditës është deklaruar edhe kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai tha se nuk e din se kur LDK-ja është e gatshme për të marr pjesë në këso takime.

“LDK gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me mollotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. por se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, ka thënë Mustafa për Kosovapress.

Ndërkohë VV-ja ftesë ka dërguar edhe në AAK.

Nga kjo e fundit ende nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë apo jo në takimin e thirrur nga Kurti dhe Osmani.

Në ndërkohë dje Arlind Manxhuka nga Sekretariati për media në Vetëvendosje përmes një shkrimi në “Facebook”, ka publikuar letrat të cilat VV-ja ua ka dërguar partive politike; PDK, LDK dhe AAK.

Manxhuka gjithashtu njoftoi se letër ftese i është dërguar edhe subjekteve të komuniteteve.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti dhe e propozuara për presidente nga lista e VV-së, Vjosa Osmani, kanë ftuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajn, për një takim të hënën më 15 mars në ora 11:30.

Ndërkohë që një ftesë identik e ngjashme për takim i është dërguar edhe kryetarit të LDK-së i cili do të zgjidhet me 14 mars. Takimi me kryetarin e ri të LDK-së mund të ndodhë më 15 mars në ora 12:30.

Ndërsa me të parin e AAK-së, Ramush Haradinajn, VV-ja planifikon të takohet në ditën e njejtë në ora 13:30.

Në letër thuhet “I nderuar (kryetar), Barazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shumë me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ’së.

Me qëllim që ky proces i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionit në fuqi, ftoheni për konsultim për hapat e mëtejmë në këtë proces. Propozojmë që takimi të mbahet në formatin 1+1, më 15 mars në orën –:– në sallën N-303 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me respekt, Albin Kurti – Kandidat për kryeministër dhe Vjosa Osmani-Sadriu – Kandidate për Presidente”. 

Kujtojmë që fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje me 49,95% të votave të përgjithshme, e pasuar nga PDK-ja me 16.90% të votave dhe e treta u rendit LDK-ja me 12.64% të votave.

AAK-ja në këto zgjedhje mori vetëm 7.07% të votave. /Express/