Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka uruar homologun e saj shqiptar, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet e 11 majit dhe rikonfirmimin në krye të qeverisë shqiptare. Në një deklaratë zyrtare, Meloni theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë forcuar ndjeshëm dhe do të vijojnë të zhvillohen në frymën e partneritetit strategjik.
“Do të doja t’i shprehja urimet e mia të përzemërta kryeministrit Edi Rama për rikonfirmimin e tij si kreu i qeverisë shqiptare. Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy kombet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i dialogut konstruktiv dhe një dëshire të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave globale me zgjidhje inovative“, thuhet në mesazhin e Melonit.
Kryeministrja italiane shtoi gjithashtu se dy qeveritë do të vijojnë të punojnë ngushtë për të forcuar stabilitetin në Ballkan dhe për të mbështetur rrugën evropiane të Shqipërisë.
Në një reagim të menjëhershëm në Twitter, kryeministri Edi Rama falënderoi Melonin ndersa vlerësoi partneritetin mes dy vendeve dhe udhëheqjen e saj të qartë dhe të vendosur.
“Faleminderit, Motër. Është një nder të shërbej një marrëdhënie të jashtëzakonshme afërsie dhe miqësie si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe është një privilegj të bashkëpunoj me një lidere si ti, që thua atë që bën dhe bën atë që thua. Nuk e di nëse e kam shkruar saktë ‘un’ lider dhe jo ‘una’ lidere, por e di me siguri që më e mira për dy vendet tona ende nuk ka ardhur”, shkroi Rama.