Instituti Albanologjik ka njoftuar që Meliza Krasniqi do të jetë ushtruese e detyrës e Institutit, kjo bazuar në mbledhjen e mbajtur më 20 qershor 2025 pas propozimit të Këshillit Shkencor.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për caktimin e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës të Institutit Albanologjik në Prishtinë
Në mbledhjen e mbajtur më 20 qershor 2025, pas propozimit të Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues ka caktuar bashkëpunëtoren e lartë shkencore (prof. asoc. dr.), znj. Meliza Krasniqi, u.d. të drejtoreshës së Institutit Albanologjik.
Meliza Krasniqi (1979) është studiuese e letërsisë, përkthyese; ka doktoruar në letërsi. Është bashkëpunëtore e lartë shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka botuar librat studimorë “Shkreli prozator” (2015), “Vepra e Musinesë” (2019), “kritika dhe letërsia” (2021) dhe “Shkrimtaret shqiptare 1954–1990” (2024), i cili u shpërblye me Çmimin “Ibrahim Rugova” për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë, dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ka përkthyer nga anglishtja disa nga veprat më të rëndësishme të teorisë letrare, si “Aspekte të romanit” të E.M. Forster (2017), “Hyrje në poetikë” të Tzvetan Todorov (2018), “Narratologjia” e Mieke Bal (2021) dhe “Arti i fiksionit” i David Lodge, përkthimi i të cilit u shpërblye me Çmimin Kombëtar “Pjetër Bogdani” për përkthimin më të mirë të vitit 2022. Në vitin 2024 botoi librin për fëmijë “Më quajnë Nexhmije Pagarusha”.
Instituti Albanologjik-Prishtinë e falënderon u.d. drejtorin e deritashëm, bashkëpunëtorin e lartë shkencor (prof. asoc. dr.), z. Naim Berisha, për kontributin e dhënë në mbarëvajtjen e punëve në institucionin tonë kërkimor-shkencor.