Është mbyllur mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku është përcaktuar edhe rendi i ditës për mbledhjen e orës 16:00 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të diskutohet shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj me kërkesë të këshilltarëve të PS-së.
Opozita kërkoi që në rend dite të përfshihej edhe kërkesa e tyre e mëhershme, e depozituar që më 9 maj, për nisjen e procedurës së shkarkimit të Veliajt, pas tre muajsh mungesë fizike të tij. Por kjo kërkesë nuk u miratua nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve.
Në përfundim të mbledhjes, është dakordësuar që rendi i ditës të përmbajë vetëm një pikë: projektvendimin “Për propozimin për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj”. Kjo sipas kërkesës së këshilltarëve të PS-së, e cila u votua edhe nga anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve.
Sipas dokumentit zyrtar të shpërndarë për anëtarët e Këshillit, mbi këtë rend dite ka hedhur firmën kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, duke zyrtarizuar se të martën, më 23 shtator, ora 16:00, mbledhja do të zhvillohet me këtë temë unike: fatin e mandatit të Veliajt.