Mediumi kroat: Ana Murganiq, njeriu kyç i Beogradit në Kosovë – Lidhje të ngushta me gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it - Gazeta Express
string(115) "mediumi-kroat-ana-murganiq-njeriu-kyc-i-beogradit-ne-kosove-lidhje-te-ngushta-me-gjyqtare-dhe-prokurore-te-eulex-it"

Lajme

Gazeta Express

28/08/2025 7:35

Mediumi kroat: Ana Murganiq, njeriu kyç i Beogradit në Kosovë – Lidhje të ngushta me gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it

Lajme

Gazeta Express

28/08/2025 7:35

Shërbimet sekrete serbe kanë ndërtuar ndër vite një rrjet të sofistikuar ndikimi në Kosovë përmes punësimit të qytetarëve serbë në organizata ndërkombëtare. Qëllimi: mbledhja e informacioneve të ndjeshme dhe ndërhyrja në sistemin e drejtësisë – veçanërisht në rastet që përfshijnë ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në qendër të këtij skandali është Ana (Dragomir) Murganiq nga Mitrovica e Veriut, e cila aktualisht ndodhet nën hetim së bashku me të dashurin e saj, pilotin kroat të Forcave Ajrore, J.I. nga Spliti, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR).

Çifti u arrestua fillimisht muajin e kaluar në një nga ishujt e arkipelagut të Splitit, ndërsa një analizë e mëvonshme e pajisjeve të tyre telefonike zbuloi se Murganiq kishte marrë informacione konfidenciale nga piloti, gjatë kohës që ky i fundit ishte i angazhuar në Kosovë si pjesë e kontingjentit kroat.

Informacionet përfshinin lëvizjet dhe planet operacionale të KFOR-it, veçanërisht në zonën e tensionuar të Zubin Potokut, si dhe të dhëna të ndjeshme për rastin e Dejan Pantić, ish-polic i Kosovës i arrestuar për përfshirje në sulmet ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas hetimeve, këto të dhëna janë përcjellë më pas tek zyrtarë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që vepron në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë serbe – dhe tek një gazetar i një agjencie të huaj ndërkombëtare.

Ajo që e bën këtë rast edhe më shqetësues është e kaluara profesionale e Anës Murganiq. Ajo ka punuar për organizata të njohura ndërkombëtare si EULEX (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) dhe UNMIK (Misioni i OKB-së në Kosovë). Gjatë angazhimit të saj, sipas burimeve nga hetimi, Murganiq ka ndërtuar lidhje të ngushta me gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët dyshohet se i ka shfrytëzuar për qëllime të shërbimeve serbe, madje në disa raste edhe përmes presioneve dhe shantazhit.

Më tej, ajo është parë shpeshherë duke shoqëruar figura kyçe të lidhura me interesat serbe në Kosovë, përfshirë drejtorin e OJQ-së “Aktiv”, Miodrag Miliceviq, si dhe Igor Kallamarin – anëtar i mëparshëm i ekipit për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Burime të afërta me hetimin konfirmojnë se Murganiq ka informuar vazhdimisht zyrtarët e Listës Serbe për zhvillimet brenda organizatave ndërkombëtare, duke u shndërruar në një burim të rëndësishëm informativ për Beogradin.

Hetimet janë ende në vazhdim dhe në to është përfshirë edhe Europol. Sipas Kodit Penal kroat, për veprën penale të spiunazhit parashikohet dënim me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. /vecernji.hr