Mediumi gjerman MDR ka raportuar se studentët në Serbi kanë bërë thirrje për protesta masive më 28 qershor – Ditën e Vidovdanit, një ditë me simbolikë të thellë historike për serbët – me synimin për ta theksuar rëndësinë vendimtare të këtij momenti: nëse Serbia do të rrëshqasë nga autokracia në diktaturë, apo do t’i kthehet sundimit të ligjit.
Sipas MDR, protesta e nesërme pritet të jetë një përsëritje e demonstratës së madhe të 15 marsit, e cila me mbi 300 mijë pjesëmarrës konsiderohet si më e madhja në historinë e Serbisë dhe si një shenjë e fuqishme e një lëvizjeje studentore që ka burimin në një pakënaqësi të thellë të popullit.
“Presidenti autokratik Vuçiq po përpiqet tash e gjashtë muaj të thyejë rezistencën studentore dhe të shuajë protestat qytetare që janë përhapur në gjithë vendin, duke u përpjekur të rikrijojë një iluzion të normalitetit”, thuhet në raportin e MDR.
Mediumi gjerman thekson se në Serbi po mbahen protesta të përditshme dhe se në shumë qytete, takimet e zyrtarëve të partisë në pushtet (SNS) nuk mund të mbahen pa praninë e njësive speciale të policisë, që përdoren për të larguar qytetarët e zemëruar.
Sidoqoftë, sipas MDR, qeveria po përpiqet ta shmangë çdo formë dhune policore, nga frika se pamjet e dhunës ndaj studentëve mund të kenë efekt bumerangu dhe të rrisin përkrahjen për opozitën. “Qeveria është e vetëdijshme se pamjet e policëve të pajisur që godasin studentë të rinj kanë potencial të madh mobilizimi,” shkruan MDR, raporton N1.
Raporti vë në dukje gjithashtu përpjekjet e Vuçiqit për të kontrolluar narrativën përmes paraqitjeve të vazhdueshme televizive, ku ai përpiqet t’i qetësojë bashkëpartiakët e tij dhe të përçmojë studentët, duke i quajtur “terroristë të financuar nga shërbime të huaja”.
Gjendja politike dhe shoqërore në Serbi, sipas MDR, është bërë aq absurde sa që edhe profesorët universitarë janë bashkuar në protestë përkrah studentëve në një kamp në qendër të Beogradit të quajtur “Universiteti i rebeluar”. Shumica e dekanëve në universitetet serbe kanë dalë në mbështetje të studentëve, ndërsa disa profesorë nuk kanë marrë rroga për muaj me radhë dhe nuk kanë mundësi as të paguajnë faturat e energjisë.
Sipas MDR, protestuesit e shohin një zgjidhje të mundshme për krizën vetëm përmes zgjedhjeve të reja parlamentare. Por Vuçiq, ndryshe nga zakonisht kur është i gatshëm për zgjedhje, këtë herë nuk po dëshiron të shkojë në votime. “Në mungesë të sondazheve publike, duket qartë se ai nuk është më i sigurt për mbështetjen e votuesve. Prandaj zgjedhjet, pavarësisht avantazheve të padrejta të partisë në pushtet dhe manipulimeve që janë dokumentuar edhe nga OSBE, për Vuçiqin do të ishin tepër të rrezikshme,” vlerëson MDR.
Në përfundim, televizioni gjerman paralajmëron se tensionet janë të larta në prag të protestës së Vidovdanit dhe studentët druajnë se grupe provokatorësh të afërt me qeverinë mund të nxisin dhunë për të justifikuar ndërhyrjen e policisë.
“Presidenti mund të shpresojë vetëm se frika nga dhuna, represioni ose sezoni i pushimeve do ta zbehë pjesëmarrjen. Por nëse populli del masivisht në rrugë si më 15 mars, pretendimet e Vuçiqit se ‘e ka situatën nën kontroll’ do të demaskohen si gënjeshtra,” përfundon MDR.