Mediet si “dezinfektuese” të panikut të krijuar ndaj koronavirusit - Gazeta Express
string(64) "mediet-si-dezinfektuese-te-panikes-se-krijuar-ndaj-koronavirusit"

Gazeta Express

21/03/2020 21:03

Mediet si “dezinfektuese” të panikut të krijuar ndaj koronavirusit

Gazeta Express

21/03/2020 21:03

Në situtata të tilla, ku çdo pjesë e shoqërisë duhet të jap kontributin e saj, gazetarët do të duhej të kuptonin rolin dhe ndikimin që ka puna e tyre, ndërsa publiku do të duhej të vetëdijësohej e të mos besojë çdo gjë që lexon

Kaltrina Jashari

Lexo Edhe:

“Në shoqërinë moderne, argëtimi është më i domosdoshëm se dikur, kjo sepse ai ndihmon në pakësimin e streseve që rrezikojnë të përfundojnë në smundje apo në çmenduri”, thekson studiuesi i medias Claude – Jean Bertrand. Kjo na rikujton, se mediet krahas informimit, kanë edhe funksione të tjera si argëtimin dhe edukimin, funksione të cilat duhet të vihen në pah në situata të tilla, si kjo e pandemisë të njohur si koronavirus.

Në një kohë kur disa qyteteve të Kosovës ndodhen në karantinë, mediet shndërrohen në një dritare, jo vetëm e informacionit por edhe e gjithë botës së jashtme. Si të tilla, ato duhet të kenë kujdes dyfish më të shtuar në përmbajtjet që transmetojnë. Titujt të tillë si: “Virusi vdekjeprurës”, “Ja cila është viktima e radhës e koronavirusit”, “Skandaloze: kështu trajtohen të prekurit nga koronavirusi” e tituj të tjerë senzacional, jo që nuk janë informues, por ato rrezikojnë të shkaktojnë panik te përdoruesit e tyre.

Kështu, mediet në këto raste kur qytetarët ndihen të rrezikuar, bartin barrën e edukimit dhe argëtimit të tyre. Mediet, sidomos televizionet që shoqërojnë vetminë që mund të shkaktohet nga vetëizolimi, do të duhej ndoshta të dilnin edhe nga skema e tyre programore. Ato do të duhej që të përgatisnin storie edukuese dhe vetëdijësuese, por edhe të transmetonin filma të animuar apo përmbajtje tjera të përshtatshme për moshën e fëmijëve.

Rolin zbavitës të tyre e thekson edhe studiuesi tjetër i medias, Stephan Russmohl, i cili thotë se publiku në mënyrë të vetvetishme kërkon nga mediet, si shoqëruese të jetës së tyre të përditshme, që t’i ç’lodhin e të ua humbasin mendjen. Pra mediet, janë faktori kryesor që mund ta bëjë audiencën që të largohet nga realiteti. E pikërisht mediet duhet që ta bëjnë këtë për sa kohë që vendi është në një situatë të tillë.

Ndjenja e shërbimit dhe përgjegjësisë, para dëshirës për klikime

Në raste të pandemive, sigurisht që rolin dhe barrën kryesore për gjendjen shëndetësore të popullatës e bartin mjekët, por për shëndetin mental, një pjesë të rëndësishme të kujdesit e kanë edhe mediet. Sidomos, në një kohë ku kontaktet fizike dhe daljet në ambientet e hapura nuk janë të preferueshme, mediet shndërrohen në mjetin kryesor me të cilin qytetarët kalojnë kohën. Duke qenë se sot jetohet në epokën e internetit dhe ekspozimi ndaj mediave është i pashmangshëm, atëherë ato patjetër që ndikojnë, jo vetëm në mënyrën e të menduarit, por edhe në atë të të jetuarit të njerëzve.

Për hir të klikimeve, mediet e reja publikojnë lajme senzacionale, të cilat ngjallin frikë te audienca që i lexon, shikon apo dëgjon ato.

Sidomos në situata të tilla, gazetarët duhet ta posedojnë ndjenjën e shërbimit dhe të përgjegjësisë, tipar që studiuesi i medias, ligjëruesi në Departamentin e Gazetarisë në UP, Milazim Krasniqi e quan tipar të profilit të një gazetari të suksesshëm. Sipas tij, çdo gazetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka puna e tij për informimin e publikut. E në rastin tonë, gazetari duhet të jetë i ndërgjegjshëm që publiku pret nga mediet që të informojnë sakt dhe drejt rreth çdo çështjeje për këtë pandemi, e jo të përfitojnë në kurriz të tyre.

Edukimi mbi mediet, “ilaç” për shpëtimin nga lajmet e rreme në lidhje me pandeminë

Pothujase çdo ditë po qarkullon një fotografi në të cilën thuhet se në ora 23:30 askush nuk duhet të lëvizë dhe se duhet të mbyllen dyert e dritaret, sepse helikopterët do të dezinfektojnë ambientet, si masë mbrojtëse nga virusi Covid 19. Kjo fotografi po shkakton panik te qytetarët e që në fakt nuk është asgjë më shumë se sa një lajm i rremë.  

Lajme të tilla të rreme kemi hasur mjaft shumë gjatë këtyre ditëve. Por, një edukim mbi përdorimin e mediave do të ishte mundësia e vetme që publiku të mos bie pre e tyre.

Idealja do të ishte që para se të besohet një informatë, të kontrollohet njëherë se kush është autori i saj dhe si është shkruar ajo apo se a përmban burime teksti i publikuar.

Në situtata të tilla, ku çdo pjesë e shoqërisë duhet të jap kontributin e saj, gazetarët do të duhej të kuptonin rolin dhe ndikimin që ka puna e tyre, ndërsa publiku do të duhej të vetëdijësohej e të mos besojë çdo gjë që lexon.