Televizioni “N1” ka publikuar sot një artikull lidhur me raportimet që kanë bërë mediat pro-regjimit të Aleksander Vuçiqit në Serbi, rreth një incidenti të ndodhur në kufi me Republikën e Kosovës, transmeton Gazeta Express.
“N1” shkruan se të gjitha raportimet në mediat pro-regjimit në Serbi kanë qenë identike dhe kanë pretenduar për arrestimin nga BIA të dy personave “ të dyshuar për spiunazh”.
“Raportimet ishin identike në disa media të regjimit”, raporton N1, transmeton Express.
Disa prej këtyre mediave, kanë raportuar se janë arrestuar dy persona të tjerë, nën dyshimin se po mblidhnin informacione të rëndësishme për Serbinë dhe se të njëjtat po ua kalonin shërbimeve të inteligjencës shqiptare.
Këto media kanë shkruar se hetimi i autoriteteve serbe kishte çuar në arrestimin e dy personave të tjerë dhe tek operacioni i 1 nëntorit, ku ishte arrestuar Milan Vukasinovic, që sipas mediave të pro-regjimit në Serbi ishte “spiun i Albin Kurtit”.
Këto raportime kanë konfirmuar gjithashtu se kur ishte arrestuar Milan Vukasinovic në vijën kufitare me Republikën e Kosovë, i njëjti teksa ishte përpjekur të arratisej ishte plagosur nga shërbimet serbe të sigurisë.
“Hetimi zgjati disa muaj, dhe arrestimi është vazhdim i aksionit nga 1 nëntori, kur Milan Vukasinovic u arrestua”, thuhet në lajmin e publikuar nga mediat pro-regjimit.
Sipas këtyre raportimeve, Vukasinovicit i ishte ofruar ndihmë mjekësore në vend, më pas ishte transportuar në Qendrën e Nishit për trajtim dhe më pas ishte urdhëruar ndalimi i tij./Express/