Prej disa ditësh, mediat më të mëdha evropiane dhe botërore raportojnë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq – por jo në një kontekst pozitiv. Me emrin e tij gjithnjë e më shpesh lidhen fjalë si terrori, dhuna dhe rënia e regjimit. Ndërkohë që pamjet nga Serbia tregojnë qartë se situata ka dalë jashtë kontrollit.
Këto protesta, të cilat po shtypen me dhunë nga autoritetet, kanë zënë vend nëpër tituj kryesorë në shumë prej mediave më me ndikim në botë.
Sipas tyre, në Serbi po zhvillohet një skenar i papranueshëm për një vend që pretendon të jetë demokraci. Shkrimet theksojnë se Vuçiq ka ngritur një sistem të bazuar në frikë, represion dhe shkatërrimin total të institucioneve.
Policia, që duhet të mbrojë qytetarët, është kthyer në një mjet dhune të regjimit. Presidenti Vuçiq vazhdon ta paraqesë veten si garantues i stabilitetit, ndërsa në realitet, me retorikën e tij kërcënuese dhe manipulimet, ai është bërë shkaktari kryesor i përplasjeve dhe krizës në vend.
Gjermania, përmes mediave si Tageschau dhe Deutsche welle, raporton se Vuçiq ka dërguar huliganë dhe trupa të sigurimit privat kundër protestuesve paqësorë, ndërsa policia qëndronte pasive. Në Beograd dhe qytete të tjera, çdo natë po ndodhin përplasje të dhunshme, ku protestuesit rrezikojnë arrestime brutale.
“Shoqëria civile kërkon drejtësi – për viktimat e incidentit tragjik në Novi Sad, për viktimat e dhunës policore. Ajo kërkon zgjedhje të lira dhe një president që respekton kufijtë kushtetues të pushtetit të tij”, shkruan gazetarja Zilke Hane.
Ndërkohë, Financial Times komenton se presidenti serb është në një udhëkryq: ose do të përshkallëzojë më tej represionin dhe të shkatërrojë çdo mbetje të shtypit të lirë, ose do të pranojë thirrjet e opozitës për reforma. “Por autokratët zakonisht zgjedhin shtypjen”, paralajmëron gazeta.
Le Monde nga Franca shkruan se Vuçiq ka adoptuar një “strategji frike”, duke përdorur huliganë dhe forca të privatizuara për të intimiduar protestuesit. Në shumë qytete janë raportuar përplasje mes përkrahësve të qeverisë dhe qytetarëve, ndërsa pamjet në rrjete sociale tregojnë arrestime të dhunshme dhe veprime brutale të policisë.
Boshko Jakshiq thekson për Nova se raportimi i mediave botërore për situatën në Serbi është i rëndësishëm, pasi Bashkimi Evropian po tregohet pasiv dhe ndjek qasjen “prit e shiko”. Ai kritikon qëndrimin e butë të BE-së ndaj regjimit të Vuçiqit dhe paralajmëron se kjo heshtje mund të shihet si bashkëpunim në represionin që ndodh në Serbi.
Jakshiq shton se opinioni publik evropian mund të ndikojë që zyrtarët të ndryshojnë qëndrim, dhe se qasja pragmatike e BE-së ndaj stabilitetit në Ballkan mund të ketë pasoja të rënda.