Protesta të gjera, dhunë policore, përleshje me civilë të maskuar dhe një regjim që po humbet kontrollin – këto janë zhvillimet më të fundit në Serbi që po i kushtojnë gjithnjë e më shumë presidentit Aleksandar Vuçiq.
Kështu shkruan shtypi gjerman, duke theksuar se Serbia ndodhet në një pikë kthese, dhe se zgjedhjet e reja nuk janë më një zgjidhje për Vuçiqin.
Gazeta gjermane Rheinische Post në një analizë të gazetarit Thomas Roser me titull “Një president po tregon fytyrën e tij të vërtetë”, shkruan:
“Pamjet dhe lajmet nga Serbia janë tronditëse: zyra të partisë në pushtet digjen, policia rreh protestues paqësorë të cilët denoncojnë korrupsionin, ndërsa pushteti i shpall ata si huliganë. Ndërkohë, presidenti Vuçiq shpall si qytetarë të ndershëm huliganët e dhunshëm të sjellë nga nëntoka kriminale.”
Gazeta vëren se reagimi agresiv i pushtetit nuk është i rastësishëm, por një strategji për të përshkallëzuar tensionet dhe për të përgatitur terrenin për masa më të ashpra, madje edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme – për të shmangur zgjedhjet e parakohshme që kërkohen me ngulm.
Sipas Rheinische Post, për shumë vite Vuçiq i ka ikur krizave përmes organizimit të zgjedhjeve të parakohshme të kontrolluara. Por tani, situata ka ndryshuar:
“Edhe nëse do të manipulonte zgjedhjet e reja, partia e tij SNS, e cila po humbet ndjeshëm mbështetjen, do të rrezikonte të humbiste. Shumë qytetarë tashmë e shohin këtë parti si një klikë të korruptuar dhe autoritare.”
Protestat nisën pas tragjedisë së nëntorit 2024, kur një mbulesë stacioni treni në Novi Sad u shemb dhe shkaktoi vdekjen e 16 personave. Publiku fajësoi korrupsionin për këtë tragjedi dhe me qindra mijëra njerëz dolën në rrugë. Tensionet u përshkallëzuan kur persona të maskuar – të sjellë nga SNS – sulmuan protestuesit me mjete piroteknike dhe shkopinj, nën mbrojtjen e policisë.
Skenat më tronditëse u regjistruan në Valjevo, ku dhjetëra policë u panë teksa rrihnin dy të rinj që ndodheshin të shtrirë në tokë, gjë që ngjalli dënim ndërkombëtar.
Për Kölner Stadt-Anzeiger, eksperti për Ballkanin, Florian Bieber nga Universiteti i Grazit, tha:
“Serbia ndodhet në një pikë kthese. Regjimi ka treguar se nuk është i gatshëm të merret seriozisht me kërkesat e protestuesve. Përkundrazi, me dhunë po e përshkallëzon krizën.”
Frankfurter Allgemeine Zeitung kritikon përdorimin e mediave proqeveritare për përhapjen e teorive të komplotit. Presidentja e Parlamentit, Ana Brnabiq, ka deklaruar se edhe shembja e mbulesës në Novi Sad ishte pjesë e një komploti për një “revolucion të ngjyrave” të sponsorizuar nga jashtë.
Një tjetër rast i përmendur është sulmi ndaj një ekspozite studentore në Backi Petrovac, ku SNS shkatërroi veprat. Kryeministri sllovak Robert Fico – aleat i Vuçiqit – refuzoi të komentojë, madje sulmoi opozitën sllovake për mbështetjen ndaj protestuesve serbë, duke pretenduar se kjo është përgatitje për një “Majdan” edhe në Sllovaki. /DW