Më 12 shtator të vitit të kaluar shumë flamuj të Serbisë u shfaqën në stadiumin e Bukureshtit, ku u zhvillua ndeshja kualifikuese për “Euro 2024”, Rumani – Kosovë.
Gjatë ndeshjes huliganët rumunë kishin bërë thirrje si “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”.
Flamuj serbë dhe thirrje anti-Kosovë kishte edhe të mërkurën pasdite në Rumani, përkatësisht në “Central Stadium Hagi Academy” në Constanta, ku u zhvillua ndeshja në mes të futbollisteve të Farul Constantas dhe kampiones së Kosovës, Mitrovicës. Gjysmëfinalen e një prej shumë miniturneve të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve e fitoi Farul Constanta me rezultatin 4:0.
Në fakt, ndeshja zgjati më shumë sesa pritej. Kjo për shkak të ndërprerjes në minutën e 27-të. Deri te ndërprerja erdhi pas kërkesës së zyrtarëve të klubit Mitrovica për heqjen e flamurit të Serbisë dhe tifozëve që provokuan, bënë fyerje ndaj shqiptarëve dhe thirrjeve anti-Kosovë. Dhe, ashtu edhe ndodhi.
Ndeshja rifilloi vetëm pasi nga tribuna kryesore e stadiumit u largua flamuri serb dhe disa tifozë me qëndrime kundër Kosovës.
Për ndërprerjen e ndeshjes shkaku i shfaqjes së flamurit kanë shkruar të mërkurën edhe mediumet rumune. Gazeta rumune “GSP” e ka cilësuar skandal.
“Skandal i madh në ndeshjen e Farulit në Ligën e Kampionëve. Flamujt largohen për shkak të mesazhit me konotacion politik”. Kështu është titulli i shkrimit i gazetës rumune.
Më pas ka përshkruar edhe gjithë situatën që ndodhi në tribuna dhe vendimin e delegates së ndeshjes.
“Ndërprerja e ndeshjes nga gjyqtarja estoneze, Reelika Turi, ka revoltuar tifozët, të cilët nisën të brohorasin ‘Kosova është Serbi’. Ka ndërhyrë edhe delegatja e ndeshjes, Ewa Gajweska nga Polonia. Pas disa diskutimeve në të cilat ishin përfshirë edhe zyrtarët e klubit, u mor vendimi që flamuri i Serbisë të largohej dhe ndeshja rifilloi. Tifozët u bindën, por gjatë largimit nga tribunat vazhduan të këndonin dhe të bënin gjeste të turpshme”, shkruan “gsp.ro”.
Nuk është hera e parë që në stadiume të ndryshme të Evropës ka pasur thirrje anti-Kosovë. Të tilla kishte edhe në Prishtinë, kur Kosova e zhvilloi më 16 qershor ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” kundër Rumanisë.