Media dhe drejtësia tranzicionale - Gazeta Express
string(33) "media-dhe-drejtesia-tranzicionale"

Media dhe drejtësia tranzicionale

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

20/07/2022 13:18

Media ka potencialin për të kapërcyer hendekun midis armiqve të djeshëm duke zëvendësuar nxitjen e frikës me nxitje të harmonisë, bashkëjetesës dhe paqës, duke ilustruar se sa të përbashkëta kanë njerëzit dhe duke mbrojtur të drejtat e viktimave për të vërtetën dhe drejtësinë

Kushtrim Gashi

Media dhe drejtësia tranzicionale është një nga çështjet që shumë pak është diskutuar, por që ka një rëndësi të jashtëzakonshme në kohën bashkëkohore sepse fuqinë e informacionit askush nuk po arrin të ndal. Informacioni, që i kapërcen lehtë kufijtë shtetërorë, është bërë një nga faktoret kryesor si në politiken ndërkombëtare, ashtu edhe atë të brendshme. Prandaj, roli medias që të angazhohet në mënyrë konstruktive në procesin e drejtësisë tranzicionale, ku bëhen përpjekje për të adresuar abuzimet dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut, i kontribuon promovimit të paqës dhe drejtësisë. Lidhja midis veprimeve të ndërrmarra përmes drejtësisë tranzicionale dhe mediave ndihmon në gjetjen e së vërtetës dhe adresimin e përgjegjësinë për shkeljet e së kaluarës. E gjithë kjo është në interes të publikut, kujdestar i natyrshëm i të cilit është media.

Mediet e shkruara dhe ato elektronike arrijnë suksesin e tyre kur ato shndërrohen në arenë për të vërtetën, duke u bërë pishtar ndriçues për opinionin publik, jo vetëm për të vërtetën e menaxhimit të politikave te tre pushteteve tjera, por edhe për gjetjen e së vërtetës në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, gjë qe këto politika ndikojnë në jetën e qytetarëve të zakonshëm. Ballafaqimi me të kaluarën është proces reformues, tranzitor dhe ofron drejtësi për shoqëritë që dalin nga turbullirat siç janë luftërat, konfliktet, diktaturat etj, që synim kanë t’i japin fund mosndëshkimit dhe t’ua kthejnë dinjitetin viktimave. Ndërsa në anën tjetër fokusohet në parandalimin e konflikteve dhe shkeljeve te të drejtave te njeriut, duke e rivendosur besimin qytetar, sundimin e ligjit dhe rendin demokratik. Drejtësia tranzicionale inicon procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe me trashëgimin e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut dhe ka për qëllim që të ndihmojë të korrigjojë padrejtësitë dhe të shërojë traumat e shkaktuara nga lufta. Përndryshe drejtësia tranzicionale është kusht i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për të vendosur dialogun shoqëror me qëllim arritjen e pajtimit mbi atë çfarë ka ndodh në të kaluarën.

Roli i mediave në krijimin e opinionit publik lidhur me tema dhe çështje të rëndesishme si drejtësia, të drejtat e njeriut dhe demokracia kanë ndikim të madh në proceset e drejtësisë tranzicionale. Çfarë do të thotë kjo në realitet? Nëse qëllimi i mekanizmave të ndryshëm të drejtësisë tranzicionale është të ndikojë për mirë në jetën e njerëzve, roli i medias në plasimin e informacionit dhe formësimin e debatit dhe diskursit publik duhet të përfshihet qëllimisht që në fillim. Shembulli më i mirë i ndikimit konstruktiv që mund të ketë angazhimi i medias me përpjekejt për drejtësinë tranzicionale vjen nga Afrika e e Jugut. Alex Boraine, Zëvendëskryetar i TRC-së (Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit) së Afrikës së Jugut shkroi: “Ndryshe nga shumë komisione të tjera të së vërtetës, ky ishte në qendër të vëmendjes dhe mbulimi mediatik, veçanërisht radioja, u mundësoi të varfërve dhe njerëzve që jetonin në zonat rurale të merrnin pjesë në punën e tij.” Ishin mediat ato të cilat për rreth dy vite bënë përmbledhje javore, të historive të treguara para Komisionit. Ngjarjet dhe historitë e treguara bënë jehonë edhe për shumë kohë pasi Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit përfundoi zyrtarisht punën e tij. Pra sikurse në rastin e Afrikës së Jugut, mediat kanë rol të rëndësishëm në mbështetjen dhe promovimin e mekanizmave të drejtësisë tranzicionale, duke reflektuar vlerat dhe kërkesat e reja të shoqërisë për viktimat.

Drejtësia tranzicionale dhe ballafaqimi me të kaluarën është proces specifike dhe për këtë arsye gazetarët të cilët raportojnë, përveç përgaditjetjes profesionale, duhet të kenë edhe shkathtësi hulumtuese dhe sidomos të kenë njohuri paraprake të fushës.

Pas luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, gazetaria hulumtuese më shumë u fokusua në çështjet e korrupsionit dhe sundimit të ligjit e shumë më pak ose pothuajse fare më fushat tjera të drejtësisë tranzicionale. Drejtësia tranzicionale në fakt trajton edhe aspektin ekonomik të padrejtësive të së kaluarës në veçanti dimensionin abuzues të të mirave ekonomike. Njohësit e kësaj fushe theksojnë se abuzimi me të mirat publike, diskriminimi në ekonomi, abuzimi me resurse publike, eksploatimi ilegal janë faktor që përbejnë shkelje të të drejtave të njeriut. Një gjë e tillë ka qenë prezentë edhe në Kosovë. Qytetarët e Kosovës përveç tjerash ishin edhe viktima e këtij lloj abuzimi. Ata për një periudhë të gjatë ishin të privuar nga të ardhurat që krijoheshin përmes eksploatimit të të mirave natyrore. Kompanitë apo ndërmarrjet ekonomike ishin tërësisht në duar të sistemit represiv/pushtues. Mbi këtë bazë, shembulli i Sierra Leonës do të mund të shërbente si pjesë e trajtimit të të drejtave të viktimave, si rezultat i humbjeve ekonomike dhe materiale.

Fokusi në tema të tilla si korrupsioni dhe sundimi i ligjit ndodhi për shkak të shumë faktorëve. Faktori i parë – hulumti i çështjeve të drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën kërkon shumë kohë, angazhim dhe njohuri të posaçme. Kur gazetarët përqendrohen në një çështje të caktuar për një periudhë kohore përbenë ngarkesë financiare për mediat, të cilat kanë burim të kufizuar të të ardhurave të tyre.

Faktori i dyte – pronarët e mediave për shkak të interesave të tyre financiare nuk kanë interes që ti përcjellin rastet e ndjeshme sepse kjo do të mund ta dëmtonte qëndrueshmërinë financiare të mediumit. Prishja e marrëdhenieve me komunitetin e biznesit apo me njërez me ndikim do ta zvogëlonte hapësirën reklamuese.

Faktori i tretë – ngurrimi i gazetarëve për të hulumtuar në fushën e drejtësisë tranzicionale mund të jenë edhe politikat redaktoriale. Prandaj gazetarët duhet të jenë në gjendje që ti sfidojnë dhe ti tejkalojnë këto politika.

Gazetarët në Kosovë duhet të jenë në gjendje që të shtyejnë përpara mbulimin dhe debatimin e çështjeve që kanë të bëjnë me kujtesën tonë kolektive, duke përcjell rrefimet nga jeta reale e atyre që janë prekur nga lufta. Ndarja e historive të viktimave mund të jetë një formë restaurimi, një lehtësim për dëmin që pësuan dhe madje një katalizator për njohjen më të gjerë publike.

Në fund të fundit, media ka potencialin për të kapërcyer hendekun midis armiqve të djeshëm duke zëvendësuar nxitjen e frikës me nxitje të harmonisë, bashkëjetesës dhe paqës, duke ilustruar se sa të përbashkëta kanë njerëzit dhe duke mbrojtur të drejtat e viktimave për të vërtetën dhe drejtësinë.