Një ngjarje tragjike ka tronditur lagjen Bon Air në Anderlecht të dielën në mbrëmje. Noel, një burrë 56-vjeçar me origjinë shqiptare dhe menaxher i njohur i kafenesë “La Maison Haute”, u vra me gjakftohtësi rreth orës 20:30 nga qiramarrësi i tij. Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe hidhërim të thellë në komunitetin lokal.
Dëshmitarët raportojnë të paktën katër të shtëna në vendngjarje. Viktima u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Autoritetet kanë arrestuar autorin e dyshuar dhe kanë përjashtuar për momentin lidhjet me trafik droge, duke theksuar se shkaku mund të ketë qenë një konflikt personal.
“Ishte njeri i rrallë, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte”
Banorët e lagjes janë ende të tronditur nga krimi. Michèle, një banuese e Itterbeek që e njihte mirë Noel, rrëfen me lot në sy se vetëm një orë para vrasjes kishte qenë duke pirë një gotë me të.
“Noel sapo ishte kthyer nga pushimet. Shpresoj që maskarai që e bëri këtë të japë llogari për veprimet e tij,” tha ajo.
“Ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me zemër të madhe, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte. Më kishte ndihmuar edhe me vendosjen e një tavani fals në shtëpi. Sa herë që i kërkoje diçka, ai pranonte pa ngurrim.”
Michèle ndau edhe një foto të bërë me të natën e ndërrimit të viteve, duke kujtuar buzëqeshjen dhe pozitivitetin e tij.
Hetimet vazhdojnë
Autoritetet belge kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të vrasjes. Sipas informacioneve paraprake, autor i dyshuar është një prej qiramarrësve të tij, por motivet e krimit mbeten ende të paqarta.
Komuniteti lokal, i lidhur fort me kafenetë e lagjes, është në zi dhe kërkon drejtësi për Noel, i cili për shumëkënd nuk ishte vetëm një pronar kafeneje, por një mik i vërtetë.