“Më të mirët 2022” – Redon Xhixha dhe Megi Doçi fitojnë çmimet kryesore në Shqipëri - Gazeta Express
string(79) "me-te-miret-2022-redon-xhixha-dhe-megi-doci-fitojne-cmimet-kryesore-ne-shqiperi"

“Më të mirët 2022” – Redon Xhixha dhe Megi Doçi fitojnë çmimet kryesore në Shqipëri

Sport

Gazeta Express

27/01/2023 23:33

Redon Xhixha dhe Megi Doçi rrëmbyen çmimet kryesore në mbrëmjen gala “Më të mirët 2022”, që u organizua sonte nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Çmimi “Topi i Artë” u fitua nga Xhixha në konkurrencën e meshkujve, kurse Doçi në atë të vajzave, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Xhixha mposhti Xhuliano Skukën, ish-sulmuesin e Partizanit, dhe Mentor Mazrekajn, sulmuesin e Laçit.

Për tashmë ish-sulmuesin e Tiranës ishte hera e parë që e fitoi këtë çmim.

Përmes një video-mesazhi, 24-vjeçari u shpreh i emocionuar që është vlerësuar me këtë çmim, ndërsa e cilësoi futbollin shqiptar si një vitrinë për të bërë hapa të rëndësishëm në karrierë.

“Është një emocion jashtëzakonisht i madh për mua që jam vlerësuar me këtë çmim. Ndihem keq që nuk jam sonte në sallë me ju që ta tërheq vetë këtë çmim, por para pak ditësh finalizova transferimin tim te Qarabag dhe e kam të pamundur të jem aty. Dua të falënderoj familjen time dhe ekipin e Tiranës ku dola kampion. Dua të them që futbolli shqiptar është një vitrinë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë në ekipet e njohura europiane. Mbrëmje të bukur të gjithëve dhe ia kalofshi sa më mirë”, tha Xhixha.

Në mbrëmjen gala të zhvilluar në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit”, Doçi pati nderin të merrte këtë trofe të rëndësishëm, që jepet për herë të parë në futbollin e vajzave.

Pasi mori trofeun e “Topit të Artë”, ajo nuk i fshehu emocionet dhe tha se është shumë e lumtur që është vlerësuar me këtë çmim.

“Është emocion i veçantë që shpërblehet puna e vazhdueshme e bërë gjatë gjithë viteve. Në fakt, jo si gjithë lojtarët që kërkojnë të ikin jashtë, unë kam bërë gjithçka që të jap gjithçka me Vllazninë dhe ekipin kombëtar. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë trajnerët dhe kapitenët e ekipeve që më kanë votuar mua si ‘Topin e Artë të vitit 2022’. Sigurisht dhe një falënderim edhe më i veçantë shkon për shoqet e ekipit tim, për ato që shkëlqyen në UEFA Women Champions League dhe dhanë gjithçka. Falënderimet janë të shumta dhe nuk dua të lë pa përmendur edhe presidentin Armand Duka, sepse është i vetmi person që i ka qëndruar afër këtij sporti. Nuk duhen lënë pas edhe ata njerëz që jashtë fushës së blertë japin gjithçka që ky sport të jetë më i suksesshëm dhe më i popullarizuar. Ky çmim është edhe i dy shoqeve që ishin në nominim me mua”, tha Megi Doçi në fjalën e saj.

Vlen të theksohet se Megi Doçi e fitoi edhe çmimin “Këpuca e Artë”, pasi sezonin e kaluar e mbylli me 66 gola të shënuara. /Gazeta Express/