Anëtari i grupit të tifozëve “Plisat”, Denis Pitarka, i ka inkurajuar më shumë persona të shkojnë nëpër stadiume për t’i ndjekur ndeshjet e Ipko Superligës së Kosovës, duke thënë se kë shumë ka dhunë në familje e parlament sesa në stadiume.
Përkundër që Kombëtarja e Kosovës po merr gjithnjë e më shumë vëmendje dhe biletat për ndeshjet e saj shiten brenda minutave, një gjë e tillë nuk ndodh edhe në ndeshjet e kampionatit dhe kupës vendore, shkruan Gazeta Express.
Në ndeshjet e Ipko Superligës së Kosovës rrallëherë ndodh që biletat të shiten në të gjithë stadiumin, përveç në disa derbi më të mëdha, edhe pse stadiumet nuk kanë kapacitet të madh të ulëseve.
Anëtari i Plisave, Denis Pitarka, i ka inkurajuar të gjithë të shkojnë për të përcjellë më shumë ndeshje, duke theksuar se rastet e dhunës nëpër stadiume janë të rralla.
“Ne i inkurajojmë njerëzit me i marrë njerëzit për të shkuar në stadium se, kur i dëgjojmë jashtë stadiumit, shpeshherë thonë mos shkoni se tifozët… Unë shpeshherë e përmendi si argument se më shumë ka dhunë në familje sesa në stadium”, ka thënë Pitarka në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Dhunë më shumë ka në shkollë sesa në stadium, dhunë më shumë ka në parlament sesa në stadium. Ku të doni mund të shikoni, mund ta merrni secilin institucion kulturor, akademik, çfarë të doni, unë garantoj se atje ka më shumë dhunë sesa në stadium”.
“Në 20 vjet histori, rastet e dhunës në stadiume numërohen në gishta, rastet e dhunës në familje nuk numërohen në gishta, kështu që unë i inkurajoj të gjithë ta marrin familjen dhe të shkojnë në stadium”.
Pitarka gjithashtu ka theksuar se numri i tifozëve që po e përcjellin Prishtinën nga afër që kur është rinovuar stadiumi Fadil Vokrri është rritur, pasi që tani është më atraktive për tifozët të shkojnë në këtë stadium. /Gazeta Express/