Me pranga në duar, i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj dërgohet në gjykatë - Gazeta Express
string(105) "me-pranga-ne-duar-i-dyshuari-per-vrasjen-e-21-vjecares-dhe-plagosjen-e-vellait-te-saj-dergohet-ne-gjykate"

Lajme

Gazeta Express

13/04/2024 11:13

Me pranga në duar, i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj dërgohet në gjykatë

Lajme

Gazeta Express

13/04/2024 11:13

I dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjes së vëllait të saj dje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, Valon Aliu, është dërguar në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Për pak minuta pritet të fillojë seanca për caktimin e masës së sigurisë, raporton Express.

Lexo Edhe:

Prokuroria tashmë ka kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë.

Kallxo.com ka publikuar pamje nga momenti kur ai dërgohet në Gjykatë, me pranga në duar.

21-vjeçarja me inicialet E.C, është vrarë në objektin e Qendrës për Punë Sociale. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, një 36-vjeçar me inicialet V.A.

Detaje rreth rastit ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Sipas Aliut, viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni.

“Dorasi është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, ku me këtë rast i përgëzojmë për efikasitetin e lartë, njëlloj edhe ekipet shëndetësore për reagimin e shpejt e profesional. Presim nga institucionet e drejtësisë që pas hetimeve, me forcën e ligjit t’i japin dënim meritor dorasit”, ka deklaruar Aliu.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar dënim maksimal për vrasësin, derisa i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm. Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani.

Edhe Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar ashpër këtë krim dhe ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa vonesa.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje. Ngushëllime familjes, të afërmëve dhe miqve të saj”, ka shkruar Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se do të kujdeset që të ndërmarren të gjitha veprimet që u takojnë si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar.

“Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë. I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së të ndjerës ndërsa të plagosurit i uroj shërim të shpejtë!”, thuhet në postimin e Sveçlës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptohen të gjitha rrethanat dhe të ndërmerren veprimet sipas kompetencës.

“E tronditur nga lajmi për vrasjen e gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal. Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve”, ka shkruar Haxhiu.