Shifrat nga Agjencia e Punësimit tregojnë nivele historikisht të ulëta të papunësisë së regjistruar, mirëpo rreth 12% e fuqisë punëtore totale është jashtë sistemit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Trendi i rënies së papunësisë shpesh është për shkak të një kombinimi të tre faktorëve: krijimi aktual i vendeve të reja të punës përmes masave aktive të punësimit që vetëm vjet ishin të vlefshme 40 milion euro dhe përfshinë 12.537 persona në masa aktive të punësimit dhe 3.520 persona në shërbime punësimi, punësimet në Zonat Teknologjike dhe hapja e vendeve të punës nga biznesi vendor, emigrimi i popullsisë në moshë pune si dhe fshirja administrative nga të dhënat e atyre që nuk raportojnë rregullisht, shkruan gazeta KOHA.
Përkundër zvogëlimit të papunësisë, sipas shifrave prej 11.5 për qind, jemi ende larg standardeve evropiane, ku shkalla e papunësisë është mesatarisht rreth 6 për qind. Megjithatë, ekspertët thonë se rënia e papunësisë është edhe për shkak të emigrimit të të rinjve që shkuan për të punuar jashtë vendit. Përderisa Maqedonia përballet me mungesën e fuqisë punëtore dhe të rritjes së migrimit të punonjësve në shtetet e rajonit si Kroaci, Shqipëri, Slloveni por edhe Gjermani, Itali rritet nga viti në vit prezenca e fuqisë punëtore nga Maqedonia. “Duket marrë parasysh se punonjësit sezonal për 5 deri në 6 muaj punë sezonale sigurojnë fonde për të kaluar muajt e dimrit këtu. Bile vetëm nga janari deri në nëntor 2025 mbi 11 mijë punonjës nga Maqedonia kanë siguruar leje të rregullt pune Vetëm në Kroaci. Në vitin 2023 janë lëshuar mbi 3700 leje pune në Slloveni”, thonë njohësit e kësaj lëmie.
Nga ana tjetër, të dhënat e fundit zyrtare për papunësinë në Maqedoni tregojnë se presioni më i madh në tregun e punës mbetet në qendrat më të mëdha urbane, ku Shkupi dhe Tetova përbëjnë më shumë se një të tretën e numrit të përgjithshëm të të papunëve aktivë. Sipas shifrave të fundit, në nëntor numri i të papunëve ishte 90.278, ndërsa në kategorinë e kërkuesve të tjerë të punës u regjistruan 42.614 qytetarë. Me këtë rënie të numrit të qytetarëve të papunë që u regjistruan në Agjencinë e Punësimit , në fakt janë regjistruar numrat më të ulët të personave që u regjistruan si të papunë në vend në vitet e fundit. Shumica e qytetarëve të papunë janë në kryeqytet. Konkretisht, në Shkup, 20,160 qytetarë janë regjistruar si të papunë. Tetova gjithashtu po përballet me një numër të lartë qytetarësh të papunë, ku kishte 11,807 qytetarë të papunë. Më pas në listë për sa i përket numrit të qytetarëve të papunë është Kumanova, ku janë regjistruar saktësisht 8,930 persona të papunë. Qyteti tjetër me papunësi më të lartë është Gostivari, ku numri arrin në 6508 persona, dhe më pas Prilepi, ku 5379 qytetarë janë regjistruar si të papunë. Autoritetet prisnin që zbatimi i Ligjit të ri për Punësimin do të zvogëlonte numrin e të papunëve në Maqedoni.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, kohët e fundit theksoi se të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për vitin 2024 tregojnë se në vend kishte rreth 694 mijë të punësuar, nga të cilët afërsisht 85 mijë ishin të angazhuar informalisht, gjë që, sipas tij, paraqet një sfidë serioze që kërkon zgjidhje sistemike, jo ad-hok.
Kjo është arsyeja pse u miratua Ligji për Punësimin e Personave, i cili do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2026 dhe përfaqëson një reformë themelore në mënyrën e angazhimit të rastësishëm dhe sezonal të punëtorëve, thekson ai. “Me këtë Ligj, ne dërgojmë një mesazh të qartë se shteti është i vendosur të shtypë sistematikisht ekonominë gri dhe të mbështesë në mënyrë aktive ekonominë formale. Kjo do të thotë më shumë vende pune formale, siguri më të madhe për punëtorët dhe një klimë biznesi të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të drejtë për kompanitë që investojnë dhe kontribuojnë në rritjen e ekonomisë maqedonase”, nënvizoi Durmishi. Ligji, vuri në dukje Durmishi, prezanton një model më fleksibël dhe të thjeshtuar për angazhim ligjor, me një kornizë të qartë ligjore dhe procedura elektronike për regjistrim, çregjistrim dhe pagesë të kontributeve.
Ligji lejon angazhimin e punonjësve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur të drejtat e tyre tashmë të fituara. Përfituesit e ndihmës minimale të garantuar nuk i humbasin të drejtat e tyre sociale dhe të fëmijëve, të papunët nuk fshihen nga evidencat dhe nuk e humbasin ndihmën e tyre monetare, pensionistët ruajnë të drejtën për pension, ndërsa studentët dhe nxënësit ruajnë të drejtat e tyre nga sistemi arsimor.
Ndryshe, emigrimi që si trend, çili ka vazhduar për dekada, e ka zbrazur Ballkanin. Vlerësimet janë se në 20 vjet, rreth 200 mijë qytetarë, ose 9 për qind, kanë emigruar nga Maqedonia e Veriut. Numri i të rinjve në Maqedoninë e Veriut ka qenë në rënie që nga viti 2002. Vlerësohet se mbi 77.000 të rinj të lindur në vend janë larguar nga vendi vitet e fundit. Sipas raportit të IOM për vitin 2020, Maqedonia është në 20 vendet e para në botë me emigrimin më të lartë jashtë vendit, ndërsa sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, pothuajse 40 për qind e stafit të arsimit të lartë në vend është larguar nga vendi. Vendi po përballet me një humbje të madhe të talenteve, si dhe të punëtorëve në përgjithësi. Mungesa e fuqisë punëtore ndihet në pothuajse të gjithë sektorët. Vala e emigrimit po ndodh edhe në vende të tjera të rajonit. Edhe vendet më të zhvilluara evropiane po përballen me problemin e mungesës së fuqisë punëtore.(koha.mk)
tag_katrorimaqedoni_2