Më i madhi në 50 vjet/ Zjarr katastrofik në Francë, viktima dhe evakuime masive - Gazeta Express
string(77) "me-i-madhi-ne-50-vjet-zjarr-katastrofik-ne-france-viktima-dhe-evakuime-masive"

Lajme

Gazeta Express

06/08/2025 23:25

Më i madhi në 50 vjet/ Zjarr katastrofik në Francë, viktima dhe evakuime masive

Lajme

Gazeta Express

06/08/2025 23:25

Një zjarr masiv ka përfshirë zonën e kodrave Corbières pranë kufirit me Spanjën, duke shkaktuar një viktimë e nëntë të plagosur. Mediat vendase bëjnë të ditur, duke djegur mbi 16,000 hektarë, një sipërfaqe sa madhësia e Parisit.

Një grua vdiq në shtëpinë e saj dhe një person ishte në gjendje kritike me djegie të rënda, sipas prefekturës Aude. Disa zjarrfikës u plagosën gjithashtu. Të paktën 25 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan, ndërsa policia po heton shkakun e zjarrit.

Kryeministri francez, François Bayrou, i cili vizitoi zonën, e përshkroi zjarrin si “një katastrofë me përmasa të papara”, duke theksuar ndikimin e krizës klimatike.

“Ajo që po ndodh sot është e lidhur me ndryshimet klimatike dhe thatësirën”, tha ai, shkruan A2 CNN.

Ministria e mjedisit tha se zjarri kishte shkatërruar të njëjtën sasi toke në 24 orë sa zjarret djegin zakonisht në të gjithë Francën brenda një viti.

“Ky është një zjarr i jashtëzakonshëm që ilustron shkallën e pasojave të krizës klimatike”, tha ministria në një deklaratë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, shkroi në mediat sociale: “Të gjitha burimet e vendit janë mobilizuar.” Ai u bëri thirrje njerëzve të tregojnë “kujdes maksimal”.

“Është një skenë trishtimi dhe shkretimi. Duket si një peizazh hënor, gjithçka është djegur. Më shumë se gjysma ose tre të katërtat e fshatit janë djegur. Është djallëzore”, tha kryetari i fshatit Jonquières, Jacques Piraux, raporton A2 CNN.

Kushtet e motit janë të pafavorshme për shkak të erërave të forta, rritjes së temperaturave dhe bimësisë së thatë në zonë, thanë zyrtarët.

Ky është zjarri më i madhi në Francë në 50 vjet, që ka shkatërruar shtëpi dhe ka detyruar evakuimin e banorëve dhe turistëve.

Autoritetet po vijojnë luftën për ta vënë nën kontroll, mes kushteve të pafavorshme atmosferike.