Zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka, tha për Gazetën Express se janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme për funksionalizimin e kaladajave, të cilat për prodhimin e energjisë termike shfrytëzojnë mazutin si lëndë të parë djegëse, por rikthimi i tyre në funksion kërkon kohë më të gjatë.
Zëdhënësja Uka thotë se funskionalizimi i ngrohjes me mazut krijon ndotje shumë më të lartë për ambientin e Prishtinës dhe kjo metodë nuk ka hyrë në funksion që 7 vite.
“Ne tashmë jemi duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për funksionalizimin e kaladajave, të cilat për prodhimin e energjisë termike shfrytëzojnë mazutin si lëndë të parë djegëse. Ato nuk kanë qenë në funksion për 7 vite me radhë, andaj rikthimi i tyre në funksion kërkon një kohë më të gjatë dhe krijon një ndotje shumë të lartë për ambientin e Prishtinës”, tha ajo për Express.
Ajo tha se kapaciteti i prodhimit dhe furnizimit me ngrohje nëpërmes kaldajave me mazut është shumë më i kufizuar se kapaciteti i energjisë termike, teksa shton se po bëhen përpjekje që ngrohja të rikthehet sa më shpejtë.
“Kapaciteti i prodhimit dhe furnizimit me ngrohje nëpërmes kaldajave me mazut është shumë më i kufizuar se kapaciteti i energjisë termike, që përfitohet nga avullli, që marrim nga “Termokos”. Ndërkohë, ne kemi sasi të mjaftueshme të mazutit për prodhimin e energjisë nëpërmes këtyre kaldajave, që do të jetë i mjaftueshëm për të furnizuar me ngrohje gjithë konsumatorët tanë për 7-10 ditë. Ne po bëjmë përpjekje, që të rikthejmë furnizimin me ngrohje sa më shpejtë, që do të jetë e mundur”, tha ajo.
Ndryshe, Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar sot se janë detyruar që ta ndërpresin furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët. Sipas Termokos, arsye për këtë është pamundësia për t’u furnizuar me avull nga KEK-u.
Më pas ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të një rrjedhje ne kaldajën e njësisë B1 dhe për këtë arsye janë detyruar të ndalin furnizimin me avull për ngrohtoren “Termokos” dhe nesër në mëngjes do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit.
Në reagimin e tyre KEK njofton se “sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim neser në mengjes, me 16.12.2021 , kur edhe do të krijohen kushtet per furnizimin e Termokosit me avull per ngrohje qendrore”.
Në këtë situatë, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar “Termokosin”, i cili tha se morën vendmin e përbashkët që të futet në sistem opsioni B i ngrohjes, përmes ndezjes së mazutit. /Express/