string(94) "me-e-madhja-qe-prej-largimit-nga-be-mbreteria-e-bashkuar-arrin-marreveshje-historike-me-indine"

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 17:58

“Më e madhja që prej largimit nga BE”, Mbretëria e Bashkuar arrin marrëveshje ‘historike’ me Indinë

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 17:58

Mbretëria e Bashkuar dhe India kanë rënë dakord për një marrëveshje tregtare “historike”, pas tre vitesh negociatash me ndërprerje.

Sipas BBC-së, marrëveshja e re mes dy vendeve do ta bëjë më të lehtë për firmat britanike që të eksportojnë uiski, makina dhe produkte të tjera në Indi, ndërsa do të ulë taksat mbi eksportet e veshjeve dhe këpucëve të Indisë.

Qeveria britanike ka njoftuar se në këtë marrëveshje nuk përfshihet asnjë ndryshim në politikën e imigracionit, përfshirë ndaj studentëve indianë që studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, Sekretari i Biznesit Jonathan Reynolds është shprehur se marrëveshja do të sjellë përfitime “masive” për bizneset dhe konsumatorët e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas raportimeve, vetëm vitin e kaluar tregtia midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Indisë arriti në total 41 miliardë funte dhe parashikohej të rritej, por qeveria tha se marrëveshja e arritur tani do ta rriste atë tregti me 25.5 miliardë funte shtesë në vit deri në vitin 2040.

Poashtu është njoftuar se përveç sektorit të tekstilit, në marrëveshje përfshihen edhe disa ushqime indiane, bizhuteri dhe gurë të çmuar.

Qeveria gjithashtu ka theksuar përfitimin për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës nga firmat britanike që zgjerojnë eksportet në Indi, duke shtuar se marrëveshja ishte marrëveshja tregtare dypalëshe “më e madhe dhe më e rëndësishme ekonomikisht” që Mbretëria e Bashkuar kishte nënshkruar që nga largimi nga Bashkimi Evropian në vitin 2020.

Marrëveshja mes vendeve është cilësuar nga kryeministri britanik Sir Keir Starmer si një “marrëveshje historike” që do të nxiste rritjen dhe “do të ofronte rezultate për njerëzit dhe bizneset britanike”. Ndërsa, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e ka përshkruar marrëveshjen si një moment historik që ishte “ambicioz dhe i dobishëm për të dyja palët”.

Le të kujtojmë se India parashikohet të bëhet ekonomia e tretë më e madhe në botë brenda pak vitesh.