Me bisht të sëpatës e goditi në kokë për ta vrarë, merret vendimi për ferizajasin - Gazeta Express

Me bisht të sëpatës e goditi në kokë për ta vrarë, merret vendimi për ferizajasin

Lajme

Gazeta Express

20/04/2021 16:08

Gjykata Themelore e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit P.S., i cili kishte tentuar ta vrasë me shkop sëpate viktimën M.T., raporton Express

Rasti kishte ndodhur më 18 prill në një fshat të komunës së Shtërpcës.  

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i pandehuri me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin, duke e goditur me një bisht sëpate në kokë.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se i pandehuri më 18 prill 2021, në një fshat në Komunën Shtërpcë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin M.T., në atë mënyrë që pas një fjalosje, e cila kishte ndodhur derisa të njëjtit gjendeshin në shitoren e fshatit, i pandehuri paraprakisht del nga lokali, merr një shkop druri (bisht sëpate) dhe pret në anën e kundër të rrugës, derisa i dëmtuari del nga lokali dhe niset në drejtim të fshatit, i njëjti e godet dy herë me shkop druri në pjesën e kokës, me ç ‘rast si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari rrëzohet në tokë dhe pëson lëndime trupore, për çka më pas dërgohet për ndihmë mjekësore fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas edhe në Spitalin e Graqanicës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndaj të pandehurit është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të pandehurit që të caktohet masa e arrestit shtëpiak apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme, për sigurimin e prezencës se të pandehurit në procedurë dhe zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, bëhet e ditur në njoftim./Express/