“Mbyllur për pushime”, roman i historive të trishta njerëzore - Gazeta Express
string(58) "mbyllur-per-pushime-roman-i-historive-te-trishta-njerezore"

Arte

Gazeta Express

10/05/2021 14:52

“Mbyllur për pushime”, roman i historive të trishta njerëzore

Arte

Gazeta Express

10/05/2021 14:52

Rreth romanit “Mbyllur për pushime”, të Stefan Çapalikut, Botimet Fishta, Tiranë 2021

“Mbyllur për pushime” nga Stefan Çapaliku, është romani që ndjek denjësisht trilogjinë “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, që siç shprehet B. Smajli,  në njërën anë kjo është një “rrno për me tregue” dhe nga ana tjetër, është një vështrim përpara si një dashuri për jetën, një gazmend i natyrshëm i etjes për të, një botë që përthithet syve të çuditur prej një bote që çmendet përditë e çmendet ende sot. Ndërsa në trilogji rrëfehet para, gjatë dhe pas, në të “Mbyllur për pushime” rrëfimi  në roman, ndahet në tre libra që me historitë që sjellin dhe fatet njerëzore, përbëjnë një panoramë të qartë të jetës në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore.

Lexo Edhe:

Autori është i qartë dhe i prerë në përcaktimin e kohës dhe vendit në roman. Ngjarjet e tij zhvillohen në Beograd, Tiranë dhe Shkodër. Nga dita e kapitullimit të Italisë më 1943, deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, në 1944. Rrëfimi i copëzuar, herë pas here, përshkohet nga një element lidhës që krijon një parapërgatitje të lexuesit për atë që vjen pas: pauza. Ajo është e shkurtër, e gjatë, jo fort e gjatë, e plotë dhe e thellë, e tendosur, pauzë e gjatë sa një frymëmarrje e thellë, pauzë e gjatë sa një pasdite etj, etj. Kjo gjetje harmonizon rrëfimin në roman, në një telajo ku çdo copëz historie sjell ngjyrën e vet dhe e bën Çapalikun edhe njëherë të pashoq në rrëfimin e tij.

Kur lexon romanin, të krijohet përshtypja se autori i ka vendosur personazhet e tij në një skenë, ku sfondin e vetëm kanë historinë, por atë vetëm në kontekstin e kohës, ndodhive dhe udhëtimit të fateve të tyre. Në hyrje të romanit, ai shkruan: Humbësit dashurohen me të shkuarën, fitimtarët me të sotmen. Autori është kthyer shumë vite pas, për të na rrëfyer nga pozicioni i atyre që me ardhjen e komunistëve në pushtet, humbën. Romani nuk është shumë voluminoz, por sjell një arsenal të gjerë personazhesh të cilët nuk mund t’i ndash në kryesorë, apo më pak të tillë. Ata sillen nga autori dhe pozicionohen mirë në atë copëz rrëfimi për të cilën janë zgjedhur. Nuk ndiqen hap pas hapi me faza të transformimeve të tyre dhe kjo bën jo pak herë, që ata të kenë përfundime të shpejta dhe të papritura.

Karakteristikë e Çapalikut në rrëfim është se ai shpesh sjell batuta të shprehura këndshëm, me një humor fin që gjen mbështetjen në fjalë të një shkodranishteje të ëmbël, por tek “Mbyllur me pushime”,vendin e humorit e ka zënë një përkujdesje për të mos harruar asnjë imtësi nga ajo çfarë ndodhi me humbësit, nga fati i tyre i trishtë.  Nga  koha kur jetuan, si e jetuan dhe çfarë zgjodhën.

Ato që nuk mund të harrohen nga rrëfimi në këtë roman, janë historitë e dashurisë të cilat përfundojnë pothuajse të gjitha me humbje.

Herman Janas dhe Milica, vajza serbe që me mall lexonte letrat e djaloshit shqiptar Filipit, ndërsa ndante shtratin me Hermanin. Përfundimi tragjik i kësaj dashurie është disi një zgjidhje deux ex machina nga ana e autorit. Asaj nuk i jepet shansi të lulëzojë, por këputet në mes me vrasjen e Filipit. Filipi që vritet pa më të voglin hezitim dhe Milica që mbetet si një fantazën e vetmuar, duke shkruar fjalë dashurie nëpër muret e Skadarlisë.

Një tjetër histori dashurie është ajo e Ibrahim Arapit, të birit të rrobaqepëses Sevim, që shkoi në Itali për studime. Aty ai përballet me kërkesën e guximshme të Marinës për të jetuar historinë e tyre të dashurisë. Një shaka e hidhur e shokëve të Ibrahimit, e sjell atë në Shqipëri nga ku nuk mund të kthehet më. “A presto”, që i tha Marinës para se të nisej, u bë një përgjithmonë.

Historia e  dashurisë së profesor Shirokës dhe Margaritës. Kjo histori ndryshe nga të tjerat na vjen me një rrëfim retrospektiv. Historia nis kur profesori i tanishëm ishte në Seminarin dioqezian të Salsburgut në vitin 1925, i pasigurt nëse duhej t’i bashkohej rrugës së meshtarisë. Sa pak mjafoi për t’i lidhur të dy të rinjtë! Një kokërr arrë boshe, që brenda saj mbante një letër të thjeshtë dashurie. Një kokërr arrë, mjaftoi që të bashkonte të dy të rinjtë dhe t’i  kthente të jetonin në Shqipëri. Por edhe kjo, nuk ishte një histori e lumtur. Përshkrimi që i bëhet austriakes Margaritë, jep mesazhin e qartë se ajo jo vetëm që nuk ishte e lumtur në vendin që kishte ardhur, por po e jetonte jetën e saj në kontekste të gabuara. Ndërkohë Margerita rrinte aty e papranishme. Ishte bionde, me sy bojëqielli, relativisht imcake. Dukej si diçka joreale, si prej dylli, thellësisht delikate… Sytë e Gretës humbnin sërish, fjalët e saj gjithashtu. Konkluzioni i doktor Sajmirit për shëndetin e saj, ishte të largoheshin prej Shqipërisë dhe këtë ia tha profesor Shirokës, duke i lënë në dorë një trakt komunist të cilit as i hodhi sytë për ta lexuar.

Historia e Sonia-s dhe Osmanit është një dashuri që tregon se ajo mund të egzistojë edhe me papërsosmëri fizike; Osmani nuk kishte dhëmbë, ndërsa Sonia-s i mungonte njëri gji. Osman këpucari nuk ishte maksimumi i asaj që Sonia, vajza italiane  kërkonte nga jeta, por të paktën ai i ofronte krahun e tij për të fjetur dhe këtë gjë, ajo e adhuronte.

Në roman ka disa momente të trishtueshme, të cilat janë përzgjedhur enkas nga autori për të theksuar edhe më shumë konturet e fateve të atyre që nga jeta patën humbje të thella.

Mbrëmja kur usta Mihali, gati bie i gjunjëzuar nga dhimbja në oborrin me kalldrëm të profesor Shirokës. Ai kërkonte kostum dhe këpucë për të birin… Për të varrosur Filipin e tij të dashur, që edhe pse e bënë shosh me plumba, përsëri ishte i bukur. I vetmi faj që bëri ai djalë ishte se u dashurua me Milicën dhe u bë pre e xhelozisë së një burri të martuar, për të dashurën e tij.

Momenti kur Lukas merr shaminë me të cilën ishte mbuluar fytyra e Fatmës, bashkëmoshatares së tij jetëndërruar dhe e fut në xhepin e tij. Ai i lutet të atit që mos të flasë me nënën për këtë gjë, pasi ajo nuk mund t’i kuptonte të tilla tradita dhe aq më tepër kur Fatma kishte ndërruar jetë nga turbekulozi.

Ushtari gjerman që vret veten në oborrin e shtëpisë së profesor Shirokës etj, etj.

Lutja që i bën Lazër Shiroka të birit për t’u larguar nga Shqipëria me nusen e tij austriake, nuk ishte thjesht një intuitë prindërore, por një paralajamërim për ato çfarë do të ndodhnin më pas.

Ja si i përgjigjet Lazri kundërshtimit për t’u larguar: E di si flet ti, more bir! Ti flet sikur të jesh një njeri që nuk i ka frikë qentë, ngaqë kurrë nuk ka hangër mish qeni…

Rrëfimi siç e theksuam më sipër, ka copëzime. Ai ndërpritet nga autori në pika kulmore dhe bëhen kalime në një histori tjetër. Rikthehet përsëri dhe e rimerr rrëfimin, po në pikën që e ka lënë më parë. Kjo gjë, krijon hove emocionale që e bëjnë leximin e këndshëm dhe librin edhe më tërheqës.

Një figurë që nuk mund të kalojë pa u vënë re në roman është figura e pastër e Andreas, Anton Harapit. Në librin e tij “Françeskanët e mëdhaj”, At Zef Pllumi e quan Anton Harapin, shkrimtari dhe oratori. Ai i bën një përshkrim aq vlerësues në këtë libër, aq sa kur e ndesha këtë figurë në romanin e Çapalikut, nuk munda të mos emocionohem. Anton Harapi, famulltar në Dukagjin, mbledhës i folklorit, më pas kujdestar i Kishës Françeskane në kryeqytet, një njeri me kulturë të gjerë dhe largpamës, pavarësisht se e ndieu rrezikun që po i kanosej duke ndenjur në Shqipëri, përsëri nuk pranoi të largohej prej saj.  Edhe pse u pushkatua prej sistemit komunist, ai nuk ishte tradhëtar, por vizionar. Ja si përgjigjej ai asokohe: Anija u mbyt!… Për fat të keq unë si shirokas, jam kapiteni i kësaj anijeje që thirret “Shqipni”. Në bazë të rregullave e traditave marinare, si kapiten i kësaj, më duhet të vdes këtu i fundit,  por pa e braktisë anijen. (At Zef Pllumi).

Autori nuk merr përsipër të shpjegojë historinë. Historia për të është një udhë ku kalojnë personazhet e tij, ku kryqëzohen fatet e tyre, që në këtë roman janë fate të trishta humbësish.

Një penë e stërvitur si ajo e Çapalikut, bën jo vetëm copëzimin e rrëfimit por edhe ndërthurjen e tij me forma të tjera, siç është është rrëfimi epistolar i ditarit të Lukas-it. Nëpërmjet tij, Çapaliku sjell gjendjen e nderë në ditët 17- 20 nëntor 1944. Pak para se me mbërritë në Qafë të Malit u dukën në qiell 30 aeroplanë…Ndërmjet Kukësit dhe Zhurës pamë tre të vrarë. Dikush tha që janë partizanë.

Një tjetër ndërthurje është edhe situata onirike e ëndrrës së Herman-it.Nazisti Herman Janas po jetonte në një situatë të vështirë, nga njëra anë është e shoqja dhe i biri i sëmurë nga krizat e astmës dhe nga ana tjetër, gjendja e vështirë e luftës për të cilën ai merr udhëzime dhe urdhra pa fund. Ajo na jepet e paraprirë nga një pauzë e gjatë, sa një gjumë buzë rrugës. Ëndrra e tij në Novi Sad, ndër të tjera shoqërohet me një strofë të poezisë, së Gëtes titulluar Erlkonig. Kjo ëndërr, përbën një gjetje nga ana e autorit për këtë pikë të rrëfimit.

Arrin kështjellën me zor tuj u rrekë,

Porse ndër kohë djali i kish vdekë

Ai nuk e shpreh, por lë të kuptohet që djali i Herman-it mund të këtë ndërruar jetë.

Dialogu në roman vjen i natyrshëm dhe pa sforcime, gjë që sjell krijimin e situatave të qarta dhe mënjanon konfuzionin gjatë kalimeve të shpeshta nga njëra histori tek tjetra. Një gjuhë që, herë-herë, në funksion të situatave pasurohet me fjalë nga shkodranishtja e autorit si: mshile, shkoklonte, kndellë etj. Nga pozicioni i tij i rrëfimit ai duket më shumë i prirur të gjejë elementë goditës për rrëfimin e tij, se sa t’i japë atij ngjyrime të tepërta. Fati i këtyre njerëzve është në vetvete aq i trishtë, sa kur lexon duket sikur të hapen nën këmbët e tua hone të thella. Jam e sigurtë që edhe autorit i ka ndodhur kjo kur ka shkruar për ta, por ai i ka kapërcyer fuqishëm duke i përjetësuar këto fate në një roman që do t’i qëndrojë kohës.

Mbyllja e romanit është epike. Pikërisht kur çifti Osmani dhe Sonia ishin në kulmin e lumturisë së tyre dhe Osmani e kishte vendosur të harxhonte gjithë kursimet e tij dhe ta çonte Sonian për darkë tek “Pëllumbi i bardhë”, atë ditë, Bim Kurbani kishte vendosur një kartelë, ku me shkrimin e tij kishte shkruar: Mbyllur për pushime.

Pena e Stefan Çapalikut, shquhet jo vetëm në letërsi, por edhe në regji, teatër dhe studimet e tij estetike. Me romanin “Mbyllur për pushime” autori na ka sjellë fate, jetë të trishta njerëzish, të cilët jetuan në kontekste të gabuara. Ëndrrat e tyre për jetën, morën një udhë pa krye. Tek e fundit, jeta është e tillë, me udhë e shtigje të pafundme./Gazeta Liberale