Mbyllni gjykatat, rrofshin politikanët! - Gazeta Express
string(37) "mbyllni-gjykatat-rrofshin-politikanet"

OP/ED

Gazeta Express

28/04/2023 15:25

Mbyllni gjykatat, rrofshin politikanët!

OP/ED

Gazeta Express

28/04/2023 15:25

Mbrojtja nga pushteti dhe, në njëfarë forme, shpallja hero e drejtorit të arrestuar të KEK’ut, pa thënë fjalën e vet drejtësia, është skandaloze. Të përcaktosh fajësinë ose pafajësinë e dikujt, ndërkohë që procesi ende nuk ka nisur, është idiotizëm. Ndërkaq është poshtërsi të flasin për drejtësi ata që nuk ngurrojnë ta përdhosin atë sa herë që iu vjen mundësia.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Arrestimi i drejtorit të KEK’ut ka ndezur edhe njëherë debatet politike në vend. Partia në pushtet dhe ato në opozitë janë përfshirë në akuza të ndërsjella, në përpjekje për ta nxirë sa më shumë njëra-tjetrën. Përderisa pushteti akuzon prokurorinë për veprime selektive në raport me arrestimin e njeriut të tyre në krye të KEK-ut, opozita akuzon pushtetin për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Teksa dëgjon sharjet, fyerjet e akuzat që ia bëjnë njëri-tjetrit, gjithkush e kupton se kështu veprohet për të përfituar politikisht, e jo se njërës ose palës tjetër i intereson shumë drejtësia.

Se si iu kanë qasur drejtësisë pushtetet e kaluara ka prova sa të duash. Arkivi tregon se një ish-kryeministër e kishte sulmuar në mënyrë brutale një prokuror – madje duke e quajtur edhe hajn – vetëm se ai nuk e kishte vepruar sipas dëshirës së tij. Se prokurorë e gjykatës kanë qenë dhe janë të lidhur me politikën dhe iu kryejnë favore “të fortëve” – politikanëve dhe jo vetëm – ky nuk është lajm.

Sulmin ndaj prokurorëve nuk po e ndal as kryeministri i tashëm, duke e etiketuar si të pazotin dhe të lidhur me politikë. Reagimi i kryeministrit vjen në kohën kur përpjekjet e qeverisë së tij për përmirësim të sistemit të drejtësisë po hasin në pengesa dhe pikërisht emri i organit të akuzës që ai po e sulmon ka kohë që i është propozuar presidentes për kryeprokuror. Ai nuk po iu pëlqen krerëve të shtetit dhe procesi i emërimit të tij është bllokuar.

Të mërkurën qytetarët patën rastin të dëgjojnë fjalime plot hipokrizi në parlament. “Rrrëshqitje frojdiane” mund të konsiderohet ajo çfarë tha një deputet i PDK’së për një koleg të tij partiak i cili, sipas tij, e paska nxjerrë nga burgu dikur një deputet të tashëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, pa dashje, deputetë të ish-partisë në pushtet zbuluan se ata kishin aq fuqi, sa edhe të nxjerrin njerëz nga burgu.

* * *

Se si kanë qeverisur të tjerët në pushtet qytetarët kanë pasur rastin ta vërtetojnë nëpërmjet përgjimeve të famshme të rastit “Pronto”. Por, Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë marrë pushtetin që të mos qeverisin si ata.

Mbrojtja nga pushteti dhe, në njëfarë forme, shpallja hero e drejtorit të arrestuar të KEK’ut, pa thënë fjalën e vet drejtësia, është skandaloze. Të përcaktosh fajësinë ose pafajësinë e dikujt, ndërkohë që procesi ende nuk ka nisur, është idiotizëm. Ndërkaq është poshtërsi të flasin për drejtësi ata që nuk ngurrojnë ta përdhosin atë sa herë që iu vjen mundësia.

Si edhe herë të tjera më parë, një betejë ligjore është kthyer në betejë politike. Një proces penal ndaj një të dyshuari për korrupsion, është kthyer në një proces përfitimi nga profiterë politikë, të cilët nuk zgjedhin rrugë as mjete për t’i arritur qëllimet e veta.

Sa për punën e prokurorive dhe të gjykatave, mjafton të lexohen raportet e organizatave dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare, për të parë se në çfarë derexhe është sistemi. Një sistem me plot prokurorë e gjykatës të korruptuar, por edhe me plotë të tjerë me integritet, të cilët e kryejnë punën si duhet.

Sistemi ka nevojë për veting – një gjë e tillë as që duhet diskutuar. Por, sistemi nuk duhet të vazhdojë të jetë shenjestër e ndërhyrjeve dhe presionit politik. Kushdo nga politika dhe jo vetëm që zgjedh të bëjë gjyqe publike për këdoqoftë e ka gabim dhe bën dëm të madh.

* * *

Në shoqëri dhe shtete normale, kur arrestohet dikush i profilit të lartë, politikanët heshtin dhe ia lënë drejtësisë të vendos, pa dhënë deklarata pro as kundër. Në Kosovë ndodh ndryshe, sepse as shoqëria, as shteti, as politikanët nuk janë normalë.

Standardi për drejtësi të pavarur e me integritet nuk është lehtë i arritshëm. Por, kur dëgjon politikanët të japin verdikte, s’mbetet tjetër veçse të mbyllen gjykatat. I kemi ata. Për gjithçka.