Lista Serbe ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në ambientet e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Mitrovicën e Veriut, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe si “cenim të të drejtave themelore të njeriut”.
Sipas deklaratës së lëshuar, kjo ndërhyrje sipas LS paraqet “një goditje të drejtpërdrejtë ndaj të drejtës për punë” dhe është interpretuar si përpjekje për të vështirësuar jetën e qytetarëve serbë në Kosovë.
“Me veprime të tilla po dëmtohet sistematikisht prania institucionale e Serbisë në Kosovë, me qëllim që komuniteti serb të frikësohet dhe të largohet nga trojet e veta,” thuhet në reagim.
Lista Serbe ka shprehur shqetësim për, siç thuhet, “heshtjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë” ndaj këtij veprimi, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjeve të arritura më parë.
Sipas deklaratës, përfaqësuesit e partisë janë në komunikim të vazhdueshëm me të punësuarit në këtë institucion dhe theksojnë se “askush nuk do të mbetet pa të drejtat e tij, as punonjësit e as përdoruesit e shërbimeve”.