Ka përfunduar pa fitues ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Dukagjinit, e vlefshme për Superligën e Kosovës në futboll.
Takimi i zhvilluar në Stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj u mbyll me rezultatin e barabartë 2:2, shkruan Gazeta Express.
Ishin mysafirët nga Klina që kaluan të parët në epërsi në minutën e 13-të me golin e Mërgim Pefqelit.
Megjithatë, vetëm pesë minuta më vonë vendasit barazuan shifrat nëpërmjet Kreshnik Ukës, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në minutën e 53-të, Dukagjini riktheu epërsinë kur realizoi Hekuran Berisha. Megjithatë, për epilogun përfundimtar të këtij takimi u përkujdes Genc Hamiti, i cili shënoi në minutën e 76-të për rezultatin final 2:2.
Me këtë barazim, Dukagjini shkon në kuotën e 33 pikëve dhe renditet në vendin e pestë në tabelë.
Në anën tjetër, Drenica mbetet në vendin e fundit me 22 pikë, aq sa ka edhe FC Prishtina e Re në vendin e nëntë.
