string(123) "mbyllen-negociatat-e-sotme-ne-bruksel-bislimi-e-petkoviq-pas-nje-kohe-i-cojne-te-shkruara-idete-per-zbatimin-e-marreveshjes"

Lajme

Gazeta Express

10/06/2025 21:00

Mbyllen negociatat e sotme në Bruksel, Bislimi e Petkoviq pas një kohe i çojnë të shkruara idetë për zbatimin e marrëveshjes

Lajme

Gazeta Express

10/06/2025 21:00

Zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi ka folur pas takimit trepalësh me kryenegociatorin e Serbisë për dialogun, Petar Petkoviq dhe Peter Sorensen, emsar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Temë ishte edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike, ku palët treguan idetë e tyre

Bislimi për media ka thënë se pjesën më të madhe të këtij diskutimi e ka zënë çështja e të pagjeturve.

Ai ka thënë se Sorensen ka pak a shumë vizion si do të ecin takimet, duke paralajmëruar edhe një takim për korrik.

Tutje, Bislimi ka thënë se është akoma herët për rezultate konkrete.

Më poshtë pyetje dhe përgjigjet e Bislimit, të cilat i transmetoi zyra e kryeministrit përmes një komunikate.

Pyetje: Z. Bislimi pas një kohe të gjatë ndodhi takimi trepalësh dhe zgjati relativisht gjatë në krahasim me herat e mëparshme. A ka ndonjë rezultat konkret?

Përgjigje: Në fakt kemi patur një seri takimesh prandaj edhe kanë zgjatur. Kemi filluar me një trilateral i cili është takimi i parë i këtij formati me ndërmjetësin e ri z. Sorensen.

Ideja ka qenë që sot të kemi tri tema të ndryshme që trajtojmë. Në pjesën e parë jemi dakorduar për principet sesi duhet të udhëhiqen takimet në trilateral tash në kohën e z. Sorensen dhe aty mendoj që kemi arritur një dakordim të përgjithshëm. Në pjesën e dytë që ka qenë pjesa qendrore e takimit të sotëm kemi diskutuar për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike ku palët kemi treguar idetë tona se si mendojmë që mund të sigurohemi që Marrëveshja Bazike zbatohet. Natyrshëm ka patur dakordim të plotë mes palëve andaj edhe neve na është dhënë kohë që në takimin e radhës të sjellim në mënyrë të shkruar idetë se si mund të sigurohemi që versioni i sekuencimit të cilin kemi përfundu me z. Lajçak duhet të bëhet i pranueshëm për palët dhe të ecim tutje. Ndërkaq tema e tretë të cilën është dashur të trajtohet ka qenë tema të tjera ku pastaj secila palë ka propozuar idetë e veta. Duke qenë se nuk jemi dakorduar për një agjendë të përbashkët atëherë takimet kanë vazhduar në formatin bilateral, ku Serbia ka diskutuar me BE-në tema që i ka pa si të rëndësishme dhe ne kemi diskutuar temat tona.

Për ne ka qenë tema më e rëndësishme për momentin ajo e personave të pagjetur që e ka marrë pjesën më të madhe të takimit, ku kemi treguar se çfarë ka bërë Kosova në këto muaj e çfarë nuk ka bërë pala tjetër. Tema tjetër që ka qenë shumë e rëndësishme për neve ka të bëjë me transferet financiare drejt qytetarëve në Luginën e Preshevës, ku kemi argumentuar se si ideja jonë nuk përbën kurrfarë shkelje, e në fakt garanton transparencë të plotë. Tema e tretë që ka qenë shumë e rëndësishme për neve dhe kemi diskutuar në bilateral është funksionalizimi i interkoneksionit me Serbinë i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë por edhe për rajonin. Tema e katërt që e kemi ngrit ka qenë për takimet e grupit të zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, ku ne kemi treguar propozimet tona dhe kemi arsyetuar ngecjet e deritanishme të cilat janë bërë kryesisht me pengesat që ka bërë Serbia. Tema e fundit që kemi ngrit është ajo e fushatës sistematike të dezinformatave që është organizuar dhe po shpërndahet nga ana e Serbisë e cila ka qëllime të caktuara që të krijojë një percepsion për keqtrajtim të komunitetit serb në Kosovë.

Pyetje: Në raport Kosovë-Serbi, pavarësisht ndërmjetësit është e qartë se nuk ka asnjë risi, mirëpo marrë parasysh se ka qenë hera e parë që është një format i tillë me ndërmjetës të ri, a keni parë ndonjë ndryshim të qasjes tek pala evropiane?

Përgjigje: Po, unë e thashë që në pjesën e parë kemi dakorduar principet për ecjen përpara në këto takime dhe mendoj se kjo ka reflektuar edhe stilin tjetër të ndërmjetësimit të z. Sorensen. Ne jemi dakord me të gjitha propozimet e tij dhe i mbështesim të njëjtat. Mendojmë që ato sigurojnë edhe një raportim më të mirë tek vendet anëtare për atë se çfarë ndodh brenda, por edhe qartësi te palët që pastaj të mos keqpërdorin bisedat brenda për interpretime mediatike jashtë takimit, që mendoj që në këtë drejtim z. Sorensen është duke bërë një punë shumë të mirë.

Pyetje: A mund të thuhet se dialogu është ringjallur së paku në nivel të kryenegociatorëve?

Përgjigje: Varet se ç’ka nënkupton me ringjallje. Nëse mendoni në rezultate konkrete mendoj se është ende herët për këtë, por ideja ime është që z. Sorensen ka pak a shumë një vizion të qartë se si do të ecë në takimet e radhës e poashtu është dakorduar që javën tjetër të dërgojë në Kosovë dhe Serbi dy nga anëtarë të tij më të ngushtë të ekipit që të grumbullojë informata shtesë, pastaj mbase edhe të vijë vetë në fillim të muajit korrik në Kosovë dhe Serbi për të parë se cili duhet të jetë hapi i radhës. Kjo për mua tregon që ai ka një investim të madh në proces, ka dëshirë që të shohë rezultate, por ju e dini se deri më tani Serbia e ka sabotuar çdo hap të procesit dhe nuk është lehtë që të vendoset në binarë apo në trajektore të re.

Pyetje: Do të thotë për këtë sezon nuk do të ketë më takime? Përgjigje: Jo, ideja e z. Sorensen është që të bëjë edhe një takim gjatë muajit korrik, para se EEAS të shkojë në pushim

Përgjigje: Jo, ideja e z. Sorensen është që të bëjë edhe një takim gjatë muajit korrik, para se EEAS të shkojë në pushim të verës.