Mbyllen aplikimet/ Kush janë tre kandidatët në garë për Universitetin e Tiranës - Gazeta Express
string(78) "mbyllen-aplikimet-kush-jane-tre-kandidatet-ne-gare-per-universitetin-e-tiranes"

Mbyllen aplikimet/ Kush janë tre kandidatët në garë për Universitetin e Tiranës

Gazeta Express

06/07/2020 9:19

 Drejtimi i Universitetit të Tiranës do të kalojë në duart e një juristi, astro-fizikanteje ose një ekonomisteje.

Këto janë profilet kryesore të tre kandidatëve të regjistruar në Komisionin Institucional të Zgjedhjeve polemizuese që do të zhvillohen më 30 korrik. Artan Hoxha, Mimoza Hafizi e Kozeta Sevrani. Të tre personalitete në fushat përkatëse me titujt “profesorë doktorë”. I pari që nxitoi për të depozituar kandidaturën ishte dekani i Fakultetit të Drejtësisë. Sakaq, në qarqet akademike që në muajt e parë të vitit, sapo u vendos data e parë për zgjedhjet, u përfol emri i Sevranit, e cila vendosi të konkretizojë hapin në ditët e fundit të afatit për regjistrimet. Surprizë në këto zgjedhje është akademikja Hafizi, e cila u regjistrua online vetëm pak orë pasi qeveria caktoi datën e zgjedhjeve. Përveç kandidatëve për rektor, sipas të dhënave të Komisionit, janë regjistruar 70 aplikantë për anëtar senati.

Lexo Edhe:

Artan-Hoxha-dekani1-636x440

ARTAN HOXHA

Në më pak se një javë para se të mbaheshin zgjedhjet e para të pretenduara më 12 maj, kur vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme, me hapjen e procesit zgjedhor nga KIZ (dhe nga jo rektori, siç ligji parashikon), dekani i Fakultetit të Drejtësisë depozitoi kandidaturën e tij. Në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin asokohe, Hoxha do të shkonte i vetëm në garën që e çonte direkt në karriken e rektorit. Hoxha është figurë e njohur në drejtësi, pasi ka qenë pjesë e grupeve të punës për zhvillimin e legjislacionit. Autor i një sërë monografish e artikujsh studimorë. Prej dhjetorit të 2018- ës është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në daljet e para për mediat Hoxha ka deklaruar se do t’i kthejë universitetit legjitimitetin, atë që i duhet më së shumti pas katër vitesh anormalitet.

mimoza-hafizi-c1200x600-1

MIMOZA HAFIZI

Vetëm dy ditë pasi u pranua në Akademinë e Shkencave, lektorja e Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ish-deputete, Mimoza Hafizi, vendosi të kandidojë, duke bërë atë që e quan “rezistencë” përballë një grupi mediokrish që kanë abuzuar me UT-në në vite. Prej shumë vitesh Hafizi është pedagoge në Departamentin e Fizikës dhe renditet ndër të paktat gra shqiptare në shkencë. Pedagogia është angazhuar më herët në politikë, me PS-në dhe LIBRA-n, prej të cilave doli e zhgënjyer. Ka qenë deputete e Partisë Socialiste dhe zëvendësministre e Arsimit dhe e Shkencës. Së fundmi i është përkushuar letërsisë për fëmijë, e madje, duke fituar dhe çmime.

KOZETA SEVRANI

Kozeta Sevrani
Kozeta Sevrani

Garës për të drejtuar Universitetin e Tiranës i është shtuar ditën e fundit edhe një emër: Kozeta Sevrani, pedagoge e Informatikës dhe e Sistemeve të Informacionit të Menaxhimit. Pas disa vitesh si anëtare, Sevrani është në vitin e tretë të kryesimit të Këshillit të Statistikave, ndërsa paralelisht punon si pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe konsulente në disa kompani. Sevrani është gjithashtu pjesë e projekteve ndërkombëtare, është pjesë e bordit editorial të disa revistave në botë dhe autore e katër librave.